Lajme

“S’po mund ta duroj”/ Haradinaj: S’mund t’ia plotësojmë Kurtit kërkesat – e ardhmja është AAK, LDK, PDK

05/24/2024 21:54
nga:G B

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se nëse kur kanë iniciuar mocionin, do t’i ofrohej mundësia për shpërbërje të Kuvendit, do ta shqyrtonin, por tani s’ka kuptim sepse është epërsi për Kurtin.

“Ne në kohën kur kemi paraqitur mocion mosbesimi, para 2-3 vjet, sikur në atë kohë të na ofrohej ky opsion për shpërbërje të Kuvendit do ta shqyrtonim, por tani jemi në fund të mandatit dhe i kemi të gjitha të këqijat e tij dhe po duam ta lëshojmë të shkojë nga përgjegjësia e tij pa asnjë llogaridhënie. Unë besoj se sado që neve nga ngutet që ta dërgojmë në shtëpi, nuk guxojmë të bëjmë gabime që i krijojnë epërsi Kurtit”, potencon ai për Blic Interview.

Haradinaj thotë se Aleancës më shumti po i ngutet të ketë zgjedhje, derisa shton se s’po mund ta durojë më Kurtin.

“Përmbyllja e mandatit të plotë, fokusimi do të bëhej te puna e qeverisë, pasojat e saj, nëse shpërbëhet Kuvendi gati se po i themi qytetarëve që thuajse të gjithë bashkë kemi qenë dhe më me rëndësi ka qenë të shpërbëhet kuvendi se sa përgjegjësia e qeverisë. Neve ndoshta na ngutet më së shumti, sepse s’po mund ta duroj më Kurtin, s’po ju rrej”, thekson ai.

Kryetari i AAK-së thotë se po luftojnë për çdo votë, çdo deputet dhe s’mund t’ia plotësojnë kërkesat Kurtit, derisa as ai s’ia ka plotësuar atë për mocion.

“Pyetja është shumë e thjeshtë, a po e rrëzojmë ne apo po e rrëzon ai veten. Ai vetëm po i merr votat tona që ta shpërbëjë Kuvendin. Tani unë s’mund të mos e bëj këtë dallim për shkak se ne ndoshta po luftojmë për çdo votë, për çdo deputet pas zgjedhjeve, pra se kush do ta bëjë shumicën pas zgjedhjeve ka rëndësi dhe ne duhet të bëjmë kujdes në veprimet tona që tani e deri në ditën pas zgjedhjeve të krijojmë epërsi për opozitën. Par unë i kisha bërë thirrje Kurtit nëse vërtet është ai që ka guxim dhe dëshiron të shkojë në zgjedhje, ta aprovojë dëshirën e opozitës tash dhe të japë dorëheqje ose ta votojë mocionin për shkarkim, shkarkimin e tij dhe prapë po shkojmë në zgjedhje menjëherë, mirëpo po ashtu shprehi shqetësim, që me i dhënë ndihmë Kurtit sot që të shkojmë në zgjedhje me shpërbërje të parlamentit në kohën kur atij po i pëlqen nuk e kam sigurinë që është veprim i drejtë dhe për këtë arsye ne si Aleancë jemi të kujdesshëm në veprat tona më tutje”, vlerëson Haradinaj.

Sipas tij, Kurti dëshiron ta nxjerr dhe një mandat, derisa u ka premtuar ndërkombëtarëve që do ta bëjë Asociacionin në mandatin e ardhshëm, por do ta përdorë atë për vota.

“Besoj që dorëheqja e Kurtit është akti i duhur, akti që garanton etapën e mëtutjeshme dhe garanton edhe epilogun e procesit që është ndryshim, unë e shoh Kurtin se është supermashtrues, ai po dëshiron që ta krijojë një klimë pozitive gjoja të bashkëpunimit me opozitën, gjoja se unë jam ai që respektoj demokracinë e që në fakt ai s’ka respektuar asgjë, e më pas të shkojë në zgjedhje dhe ta nxjerr dhe një mandat. Po qarkullojnë zëra që Kurti i ka sqaruar ndërkombëtarët që s’po e bëj Asociacionin tash, ju e dini ua kam dhënë fjalën, ia kalova tokën Manastirit të Deçanit, i kam dërguar letrat por më lejoni t’i kryej zgjedhjet shpejt dhe ta marr mandatin tjetër dhe ua bëj Asociacionin dhe ua bëj të gjitha punët. Besoj që ne si opozitë mbajmë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet tona dhe s’guxojmë të bëjmë veprime që në çdo mënyrë e ndihmojmë Kurtin që ta rimarrë një mandat”, deklaron ai.

Haradinaj thotë se opozita duhet bërë kujdes që të mos ndahet e të dakordohet me Kurtin, pasi sipas tij, e ardhmja është e partive opozitare, LDK, PDK, AAK.

“Për mua, veprimi sot i këtij, sidomos i ndarë tash në dakordim me Kurtin, e tjerët jo, nuk është pamje e duhur, ne do të bëjmë kujdes. Unë besoj se e ardhmja jonë e përbashkët është e PDK-së, e jona, e LDK-së, pra e koalicionit se AAK është në koalicion me Nismën, mendoj që e ardhmja jonë është te uniteti ynë, pra ne s’kemi arsye për të ndërmarrë një veprim ndaras nga njëri-tjetri”, thotë Ramush Haradinaj. /Gazeta Blic/