Para zjarrit mundoheshin sadopak të ngroheshin në ditë të ftohtë dimri.
Aty i priste një ditë e gjatë dhe e lodhshme.
Të tjerët po i vendosnin në tezga gjithçka që kanë për të shitur. Shpresën e kanë se mund ta nxjerrin të paktën bukën e gojës, derisa mezi presin të përfundojë janari i gjatë për të nisur ditë të nxehta e të rritet fluksi i punës.
Muzika dëgjohet në çdo qosh të tregut, prandaj i ftohti e kushtet jo të mira nuk ua prishin qejfin. Ushqimi që përgatitet në treg ua shton edhe më shumë kënaqësinë.
Agon Zeqiri, që ka gati 30 vjet që merret me shitblerjen e pemëve dhe perimeve, thotë se është i kënaqur me kushtet e tregut, por jo edhe me shitje, raporton Kiks Kosova.
Të kënaqur si Agoni nuk janë edhe tregtarët e tjerë. Rreth katër vjet më parë, Komuna e Lipjanit pati vendosur ta ndajë tregun në dy pjesë.
Ata që shesin pemë e perime dhe gjëra të tjera ushqimore të qëndrojnë në qendër të qytetit, aty ku ka qenë gjithmonë tregu i Lipjanit.
E të tjerët që shesin gjëra materiale të zhvendosen te tregu i ri apo siç njihet si tregu i plaçkave, e i cili është ndërtuar rreth rrugës që të çon në komunën e Shtimes.
E kjo ndarje thonë se i ka marrë në qafë.


