Lajme

Spitali i Gjakovës thotë se për 4 vjeçaren ka pasur mbikëqyrje profesionale

12 muaj më parë
nga:N K

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës, është deklaruar në lidhje me rastin e vajzës 4 vjecare, e cila vdiq nga arsye ende të pasqaruara mirë.

Në reagim të Spitalit, thuhet se “me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë”.

Sipas tyre mbikëqyrja ndaj saj ishte profesionale dhe se kur gjendja ka filluar të përkeqësohej është sugjeruar që 4 vjeçarës i nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK.

“Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në reagim thuhet se pas fillimit të hetimeve Spitali ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në njoftim