Sporti

Spektakli vazhdon në Ligën e Kampionëve, betejë e madhe sonte në ‘Allianz Arena’

04/15/2026 08:02
nga:Mergim Rreci

Sonte zhvillohen ndeshjet kthyese të çerekfinaleve në elitën e futbollit evropian, aty ku katër gjigantë synojnë biletën për në gjysmëfinale.

Pas përballjeve të para, gjithçka mbetet e hapur dhe pritet një spektakël i vërtetë në fushë, transmeton GazetaBlic Sport.

Në “Emirates”, Arsenal pret Sporting CP pas fitores minimale 1:0 në ndeshjen e parë. Londinezët hyjnë në këtë duel me avantazh, por pa luksin për të gabuar. Skuadra portugeze ka treguar shpesh se di të reagojë në momente të mëdha dhe pritet të kërkojë përmbysjen me lojë të guximshme.

Ndërkohë, në një nga përballjet më të forta të kësaj faze, Bayern Munich përballet me Real Madrid, me bavarezët që kanë një epërsi të lehtë 2:1 nga ndeshja e parë.

Gjermanët synojnë ta menaxhojnë avantazhin para tifozëve të tyre, por përballë kanë “mbretërit” e Evropës, të cilët njihen për rikthime spektakolare në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

Të dy takimet do të fillojnë nga ora 21:00.

/GazetaBlic Sport/