Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar se kuadri ligjor i tyre u mundëson të paraburgosurve të kërkojnë vizita në Kosovë për arsye humanitare, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Deri më tani, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë autorizuar 14 vizita të tilla në Kosovë për persona të paraburgosur, ndërsa organizimi dhe menaxhimi i tyre është bërë nga vetë gjykata”, thuhet në njoftim.
Sipas Speciales, vizitat lejohen në raste të veçanta, si vizita tek familjarët e sëmurë rëndë apo pjesëmarrja në ceremonitë mortore. Institucioni bëri të ditur se ish-presidenti Hashim Thaçi ka realizuar katër vizita të tilla në Kosovë, të miratuara nga gjyqtarët mbi baza humanitare.


