Spanja planifikon të ndalojë qasjen në mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës, tha Kryeministri Pedro Sanchez të martën, ndërsa njoftoi disa masa për të garantuar një mjedis dixhital të sigurt.
Qeveria e koalicionit të krahut të majtë e Sanchezit është ankuar vazhdimisht për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjes pornografike dhe dezinformimit në mediat sociale, duke thënë se kjo ka efekte negative tek të rinjtë, raporton Reuters.
“Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që ata kurrë nuk ishin menduar ta lundronin vetëm… Ne nuk do ta pranojmë më këtë,” tha Sanchez ndërsa iu drejtua Samitit Botëror të Qeverive në Dubai, duke u bërë thirrje vendeve të tjera evropiane të zbatojnë masa të ngjashme.
“Ne do t’i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër digjital,” shtoi ai.
Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një veprim që po ndiqet nga afër nga vende të tjera që po shqyrtojnë masa të ngjashme të bazuara në moshë, të tilla si Britania dhe Franca.


