Italia i dha fund në mënyrën më të keqe të mundshme Europianit Gjermani 2024, duke u eliminuar nga Zvicra në fazën e 1/8-ave, në një ndeshje ku të kaltrit nuk bënë asgjë për të shmangur humbjen.
Në konferencën për shtyp të mesditës së të dielës, në krah të kreut të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, trajneri Luciano Spalletti deklaroi se e di mirë se çfarë duhet të bëjë për të rikthyer Italinë e vërtetë.
“Humbja me Zvicrën na ka kthyer në pikën zero, por unë nuk largohem. E di mirë se çfarë duhet të bëj për të rikthyer Italinë e vërtetë. Më vjen shumë keq që në këtë Europian nuk e vazhduam procesin e rritjes, të cilin e kishim nisur më herët. Gjatë 8 muajve të mi këtu kemi rinovuar skuadrën jo pak dhe në të ardhmen do ta rinovojmë edhe më shumë. I kam idetë e qarta se çfarë duhet të bëj”, u shpreh Spalletti.
Tekniku i Italisë pranoi se edhe ai ka pasur gabimet e veta në këtë Europian, teksa vuri në dukje mungesën e lidershipit te “të kaltrit”.
“Edhe unë kam bërë gabimet e mia, por sigurisht jam këtu për të vazhduar me shumë pasion dhe tashmë edhe me një eksperiencë më shumë. Liderë si Chiellini apo Bonucci është e vështirë të gjesh, por jam i bindur që nëse aktivizojmë lojtarë si Calafiori, mund t’u japim mundësinë të shndërrohen në liderë të kësaj Italie”, u shpreh tekniku.