Lajme

SPAK dërgon për gjykim 27 anëtarë të grupeve kriminale – mes tyre Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka

12/06/2025 23:37
nga:Sh R

SPAK ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme 27 të pandehur, të akuzuar për vepra penale brenda grupeve të strukturuara kriminale.

Në mesin e tyre janë ish-deputeti Arben Ndoka, Ervis Martinaj i zhdukur që prej vitit 2022, Durim Bami, Endrit Dokle, ish-efektivi Altin Morina, Arian Tuku, Samuel Ndoka, Aldo Avdyli, Fatmir Troplini, Marklen Haka dhe Erlis Duka.

Sipas SPAK, Arben Ndoka dhe dhëndri i tij, Arian Tuku, gjatë vitit 2020 drejtonin një grup kriminal dhe siguruan mjetet për të vrarë Durim dhe Valter Bamin, duke bashkëpunuar me Ervis Martinaj, Samuel Ndokën, Jozi Kraja, Aldo Avdylin dhe Marklen Hakën. Më 3 korrik 2020 ndihmuan hyrjen e paligjshme të Aldo Avdylit nga Mali i Zi, ndërsa më 1 dhjetor 2020 planifikuan vrasjen e Aleks Ndrekës, e cila mbeti në tentativë.

Një grup tjetër, i drejtuar nga Tori Xhecuka dhe i financuar nga Ervis Martinaj, me pjesëmarrjen e Florenc Kelmendit dhe Marklen Hakës, u organizua që nga qershori 2020 për vrasjen e Durim Bamit dhe tentoi më 4 nëntor 2020 ekzekutimin e tij dhe të Ervin Kodrës.

Ndërkohë, Durim Bami organizoi dhe drejtoi një grup për kultivimin e kanabisit në Nikël dhe Bubq gjatë periudhës dhjetor 2019-korrik 2020, duke u ndihmuar edhe nga punonjës policie si Altin Morina.

Hetimet tregojnë se të pandehurit kanë kryer vepra të rënda, përfshirë vrasje me paramendim në tentativë, sigurimin e mjeteve për vrasje, mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, trafikim dhe kultivim të narkotikëve, drejtim të grupeve kriminale, shpërdorim detyre dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve./RTSH