Në Mitrovicën e Veriut dje është mbajtur protestë e qytetarëve serbë, të cilët po kundërshtojnë hapjen e urës së Ibrit.
Qeveria e Kosovës po insiston në hapjen e kësaj ure, por për këtë nuk ka përkrahje nga aleatët ndërkombëtarë.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic, është deklaruar analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se protesta e djeshme ishte e dështuar pasi që nuk kishte shumë pjesëmarrës, duke shtuar se kjo tregon që shumica e qytetarëve në veri janë për hapjen e urës, përndryshe do të kishte më shumë pjesëmarrës.
Tutje, ai thotë se ura duhet të hapet dhe thekson se nuk ka rrezik për tensione pasi që nuk ka kush t’i bëjë ato tensione.
“Ajo protestë ishte e dështuar përderisa morën pjesë jo më shumë se 600 veta, kjo tregon që shumica e qytetarëve në veri janë për hapjen e urës se përndryshe kishin marrë pjesë më shumë veta. Po duhet me u hap, më vonë kur e shohim që nuk ka asnjë problem, që është krejt në rregull, atëherë edhe ndërkombëtarët pajtohen me të. Nuk ka rrezik për tensione, nuk ka kush t’i bëjë tensionet, sepse strukturat e dhunshme paralele i ka shkatërruar Serbia, ndërsa të rejat nuk ka arritur t’i krijojë ende”, deklaroi analisti Spahiu./GazetaBlic/