Lajme

Spahiu për zgjedhjet në RMV: Pushtetin po marrin e proserbët , shqiptarët humbës

05/08/2024 21:33
nga:Sh R

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu duke komentuar zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë e Veriut ka thënë se në këto zgjedhje shqiptarët dalin të humbur.

Sipas Spahiut, pushtetin po e marrin proserbët, siç ka thënë ai me nuanca të theksuara antishqiptare çka do ta pamundësojë avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

“Nga këto zgjedhje shqiptarët dalin të humbur. Vetë fakti që pushtetin edhe në parlament edhe në qeveri edhe në presidencë po e marrin proserbët me nuanca të thekuara antishqiptare. Kushdo që hyn në koalicion nga partitë shqiptare s’do të mund të bëjë asgjë dhe të drejtat e tyre nuk do të mund të avancohen, e rreziku është që mund të kthehen prapa. Madje fakti që këto dy grupacionet shqiptare po i vardisen partisë proserbe tregon që ka me zbrit pazari maksimalisht”, u shpreh ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Ndërkohë ai ka vlerësuar se shqiptarët me bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale kanë zhvlerësuar vetëm.

Madje, profesor Spahiu konsideron se ka pasur një marrëveshje të heshtur në mes të BDI-së dhe VMRO-së dhe një tjetër mes të VLEN dhe VMRO-së për ta ndihmuar zgjedhjen e Gordana Siljanovska Davkova për presidente të Maqedonisë së Veriut.

“Ka pasur një marrëveshje të heshtur në mes të BDI-së dhe VMRO-së dhe një tjetër mes të VLEN dhe VMRO-së për ta ndihmuar zgjedhjen e presidentes së Maqedonisë dhe këta e kanë bërë në mënyrën më të shkëlqyer, të dy krahët politik janë vënë në shërbim të forcave serbe. Me bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale shqiptarët thjeshtë e kanë zhvlerësuar vetën”, shtoi ai.