Sporti

Southgate: Rashford do te jetë me ekipin në Katar, nëse performon mirë

09/16/2022 08:07
nga:E K

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, la Marcus Rashford jashtë skuadrës së tij të fundit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë për një ftesë për Kupën e Botës.

Trajneri i Anglisë ka emëruar skuadrën e tij prej 28 lojtarësh për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Italisë dhe Gjermanisë në shtator. Sulmuesi i Mançester United, Rashford, është hequr sërish nga lista, por trajneri i ‘Tre Luanëve’ i ka ofruar 24 vjeçarit shpresë se ai ende mund të arrijë në Kupën e Botës në nëntor.

“Kanë mbetur vetëm tetë javë derisa ne do të emërojmë skuadrën tonë për Katarin, kështu që çdo minutë ka rëndësi. Ai [Rashford] është një lojtar që ne e njohim mirë, kështu që nëse ai mund të performojë në një nivel të lartë në javët e ardhshme, ai sigurisht që do të jetë në shqyrtim”, u shpreh ai, përcjell lajmi.net.

Rashford e ka nisur sezonin me disa paraqitje premtuese për ‘Djajtë e Kuq’, duke shënuar tre herë dhe duke kontribuar me dy asistime në gjashtë ndeshje.

Ylli anglez aktualisht është jashtë fushës pas një lëndimi të pësuar, por fjalët e Southgate do të ofrojnë shpresë se ai mund të rikthehet me kombëtaren andaj duhet ta ruajë formën e mirë.

Kupa e Botës fillon më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor.