Kryetarët e komunave të Kosovës do të takohen sot me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, ku do t’ia paraqesin kërkesat e tyre për largimin e orës policore dhe masave të tjera që aktualisht janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Në këtë takim do të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se janë duke u koordinuar kërkesat e komunave, përmes kryetarëve të tyre.
“Jemi duke i koordinuar kërkesat e komunave përmes kryetarëve të komunave. Jemi në kontakt me kryetarë dhe kryetarët janë shumë të angazhuar sa i përket zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se kërkesë e komunave është largimi i masave kufizuese që janë në fuqi.
“Pra, përveç vaksinimit të popullatës, largimit të kufizimit të lirisë së lëvizjes, komunat janë të interesuara që të largohen masat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokale. Pra, edhe një herë, kryetarët kërkojnë që të ketë kujdes sa i përket shëndetit publik mirëpo gjithnjë duke shtuar kujdesin për zhvillim ekonomik lokal duke marrë për bazë se shumica e shteteve, jo vetëm në rajon, janë duke i liberalizuar masat”, ka deklaruar Ibrahimi.
Takimi virtual i Vitisë me krerët e komunave të vendit do të mbahet në orën 10:00.
Ndryshe, Oda e Hotelerisë dhe Turizimit ka paralajmëruar se do të ketë lirim të masave gjatë kësaj jave.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, OHT’ja ka bërë me dije se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu ka kërkuar kohë deri të mërkurën për të vendosur për lirimin e masave.
Ata kanë treguar se në takimin e mbajtur të martën me ministrin e Shëndetësisë, kanë përfshirë kërkesat e të gjitha sektorëve që përfaqëson Oda e Hotelerisë dhe Turizmit si sallat e dasmave, pishinat, estradë, dekore, dhe të gjitha sektorët tjera, e që sipas tyre takimi ka qenë në favor të tyre dhe pritet të lirohen masat që nga data 26 maj.
“Z. Vitia ka kërkuar t’i jepet kohë deri me 26.5.2021 në ora 16:30, sepse sipas tij ishte duke pritur disa rezultate të hulumtimeve që janë duke u bërë në terren, dhe kjo ishte arsyeja që akoma nuk po marrin një vendim për lirimin e masave ndaj sektorëve që akoma qëndrojnë mbyllur”, thuhet në komunikatën e tyre.
LEXO EDHE: