Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot pritet të mbahet seanca e radhës e rigjykimit ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt më 2015 në Deçan.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, më 17 mars 2022, Gjykata e Apelit e ka hedhur si të palejuar kërkesën e avokatit të Pajazitajt, Gëzim Kollçaku, për përjashtimin e trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.
Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.
Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë.
Më pas, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.


