Sot, skadon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e Legjislaturës së XI-të, e cila u ndërpre të enjten.
Në lidhje me këtë çështje, për Gazeta Blic ka folur ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu.
Kryeziu tha se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të arsyeshëm prej 30 ditësh, afat ky që, sipas tij, është mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Kuvendi duhet të konstituohet në afatin e arsyeshëm 30-ditor. Ky afat është mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese. Konsiderohet mosrespektim i aktgjykimit të Gjykatës të vitit 2025”, tha Kryeziu.
Tutje, Kryeziu theksoi se, në rast se tejkalohet afati i paraparë, nuk ka masa ndëshkuese kushtetuese, por një situatë e tillë, sipas tij, do të cenonte rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.
“Për këtë nuk ka masa ndëshkuese kushtetuese, por detyrimisht duhet të konstituohet Kuvendi, sepse në të kundërtën cenohet rendi kushtetues dhe juridik i Republikës”, u shpreh Kryeziu.
Ndryshe, seanca e djeshme u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për konsultime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.


