Lajme

Sot shqyrtohen dy marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë

02/16/2022 07:53
nga:Q R

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mblidhet sot për të shqyrtuar dy marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit në rend dite është projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Po ashtu është edhe ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave.

Komisioni pritet të mblidhet në orën 10:00.

Më 26 nëntor të vitit të kaluar, në Elbasan u mbajt mbledhja e shtatë e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Në mbledhje u nënshkruan 13 marrëveshje.

Këto janë 13 marrëveshjet që u nënshkruan:

1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

2. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.

4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

5. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës)–Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

6. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

7. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

8. Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës

9. Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

10. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.

11. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.

12. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.

13. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.

Havolli: Kemi kërkuar që paga bazë e infermierëve të bëhet 700 euro