Lajme

Sot rivarrosen mbetjet mortore të 10 personave të zhdukur, viktima të masakrës së Kralanit

12 ditë më parë
nga:Sh R

Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe nën përcjelljen e Forcave të Sigurisë së Kosovës janë duke dërguar për ceremoninë e varrimit mbetjet mortore të 10 civilëve shqiptarë.

Këto 10 mbetje janë të identifikuara nga 11 të zbuluara, dhe i përkasin Masakrës së Kralanit.

Ndryshe, me 2 prill janë bërë 26 vite që kur në Kralan të Gjakovës, forcat ushtarake serbe kanë vrarë 86 civilë shqiptarë.

Forcat policore serbe patën ndarë me qindra djem e burra prej 1500 shqiptarë që kishin braktisur vendin për t’i shpëtuar krimeve serbe, derisa gratë, fëmijët e pleqtë ishin urdhëruar të shkonin në Shqipëri.

Derisa, vetëm dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar, ku prej qindra sa ishin, ata i ndalën 86 prej tyre, ku të cilët edhe 11 të mitur.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan.

Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.

Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.