Cult

​Sot është ditëlindja e Luigj Gurakuqit

02/19/2022 09:06
nga:G C

Sot është ditëlindja e një prej figurave të shquara kombëtare Luigj Gurakuqit.

Gurakuqi lindi më 19 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit.

Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.

Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1916 u caktua drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër.

Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar. Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.