Lajme

“Sot edhe më keq”, Zemaj bën thirrje për vaksinim dhe respektim të rekomandimeve të IKSHKP-së

08/21/2021 16:56
nga:M K

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas rekordit të ri të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Zemaj me anë të një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi situata është rënduar.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre nga COVID-19, ndërsa thekson se virusi nuk po e kursen askënd.

Deputeti i LDK-së bën thirrje që të respektohen rekomandimet e IKSHKP-së, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.

Postimi i plotë:

“Rekordi i zi po tejkalohet për çdo ditë. Njëjtë ndodhi edhe sot.
Pra, sot edhe më keq: 2.279 raste të reja me Covid-19 dhe 8 të vdekur. Ky është një lajm i keq, i cili na prek të gjithëve pa dallim.
U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre. Lutem për shërim sa më të shpejtë të të gjithë të infektuarve. Njëherit, shpreh admirimin tim të thellë për punën e profesionistëve shëndetësorë, të cilët me tërë qenien e tyre po luftojnë me këtë armik global. Krejt këtë sakrificë po e bëjnë për ne, për familjet tona, për shëndetin dhe jetën tonë. MIRËNJOHJËS përherë!
Të dashur qytetarë,
Ky virus i padukshëm dhe i tmerrshëm nuk e kursen askënd. Ai po na sfidon e dëmton shëndetin si dhe po merr jetët e më të dashurve tanë, ndaj:
Ju lutem, kurdo që t’iu vijë mundësia e parë VAKSINOHUNI.
Uroj që të gjithë t’i respektojmë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Mbani maskat!
Respektoni distancën!
Mbani higjienën!”.