Lajme

Sonte në 23:59 do të bie boria që sinjalizon fundfushatën – nesër heshtje zgjedhore, të dielën balotazhi

11/12/2021 08:00
nga:M K

Sonte në ora 23:59 mbyllet edhe zyrtarisht fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokaleve të 17 Tetorit.

1,260,571 qytetarë me të drejtë vote në 66% të vendvotimeve, apo në 1,638 nga 2,477 sosh do të vendosin për krerët e ardhshëm të 21 komunave, përcjell GazetaBlic.

Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Drenasi, Kaçaniku, Istogu, Dragashi, Fushë Kosova, Obiliqi, Klina, Kamenica, Rahoveci, Juniku, Vitia, Malisheva, Vushtrria, Shtimja, Kllokoti dhe Mamusha nuk e kanë zgjidhur çështjen e të parit të tyre me 17 Tetor, teksa këtë përfundimisht do ta bëjnë të dielën e 14 Nëntorit, për balotazhin e së dielës e për të cilin “ethet” veçse kanë filluar të ndihen.

Tashmë në Kosovë, nga Sllovenia kanë arritur edhe fletëvotimet gjegjëse.

KQZ: Arrijnë në Kosovë fletëvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve

Partia që do të jetë në më shumti komuna në balotazh është Lëvizja Vetëvendosje. Partia që aktualisht udhëheqë me ekzekutivin nuk e ka fituar asnjë komunë në raundin e parë, do të jetë në balotazh në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.

LDK do të jetë pjesëmarrëse në balotazh në nëntë komuna, (Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik, PDK në tetë, (Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë), AAK në pesë sosh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog), kurse Nisma Socialdemokrate vetëm në Malishevë.

Është interesant fakti se për dy ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar në PZAP plotë pesë ankesa dhe të gjitha ndaj Vetëvendosjes.

Këtë e tha edhe sekretari i PZAP-së, Mulë Desku, në një prononcim për GazetaBlic.

“Prej datës 8 deri më 10 nëntor, PZAP ka pranuar pesë ankesa për balotazh. LDK ka bërë ankesë kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Desku.

Për dy ditë, LDK me pesë ankesa ndaj Vetëvendosjes në PZAP

Sa i përket asaj se ku do të jetë përqendrimi kryesor, prijnë Prishtina e Prizreni. Gara në kryeqytete, pra në atë institucional e atë historik, po gëzon vëmendje të madhe nga të gjithë.

Për të parin e Prishtinës po garojnë Përparim Rama i LDK-së e Arben Vitia i VV-së. Madje, nga herët e rralla ku kandidatët dolën përballë njëri-tjetrit në debatin e mbrëmshëm në Rubikon.

Interesant do të jetë edhe në Gjilan, ku do të “ndeshen” Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Alban Hyseni i Vetëvendosjes.

Kujtojmë se të dielën, ne, do t’iu raportojmë në kohë reale për çdo informacion që do të jetë në interesin tuaj.

/GazetaBlic/