Finalja e Kupës së Botës, kompeticionit më të madh sportiv zhvillohet sot në Katar.
Kombëtarja e Francës do të ballafaqohet me Argjentinën me fillim nga ora 16:00 në stadium “Lusail”, në ndeshjen ku do të zbulohet fituesi i titullit të madh.
Kjo mund të jetë ndeshja e fundit e Leo Messit në Botëror andaj shumica e tifozëve në botë po shpresojnë në triumfin e kombëtares argjentinase, megjithatë përpara do të ketë një Francë të jashtëzakonshme në krye me super yllin, Kylian Mbappe, që shpreson të mbrojë trofeun me kombëtaren e tij.
E tashmë në botë është koha e parashikimeve para fillimit të takimit, ku shumë ekspertë po japin mendimet e tyre se si mund të përfundojë ky duel.
GazetaBlic Sport ka kontaktuar me nëntë gazetarë sportivë në Kosovë – të cilët kanë treguar parashikimet e tyre në lidhje me finalen e madhe të sotme.
Gazetarja e sportit në RTK, Alba Merovci parashikon fitoren e Francës në finalen e sotme.
Alba Merovci (RTK): “Favorit për këtë përballje vështirë të kesh. Por, për preferenca personale: Argjentina 1:3 Franca. Një gol nga Messi për statistikë. Trekolorët nuk janë mposhtur në 10 ndeshje kundër ekipeve të Amerikës Jugore, andaj mendoj se ky fat do t’i përcjellë edhe sot, me frymëzuesit Kylian Mbappe, Olivier Giroud, Tchouameni, Griezmann dhe kapiteni Lloris”.
Jon Ajeti, gazetari dhe komentatori i njohur kosovar mendon se në këtë finale do të triumfojë Argjentina.
Jon Ajeti (Klan Kosova): “Ndeshja përfundon 3:1 për Argjentinën. Messi, lojtari i ndeshjes dhe i kampionatit”.
Njësoj sikurse Ajeti, mendon edhe kolegu Betim Zeqiri nga Telegrafi Sport, i cili thotë se Argjentina do të triumfojë – teksa Messi do të ‘vuloset’ si më i miri i historisë.
Betim Zeqiri (Telegrafi Sport): “Argjentina fiton me rezultatin 3-1. Messi konfirmon se është më i miri i historisë me het-trik”.
Gjasa më të mëdha Argjentinës i jep edhe komentatori i njohur, Florim Canolli – i cili nuk pret shumë gola, por lojë shumë të kujdesshme nga dyja palët.
Florim Canolli (SuperSport Kosova): “Mendoj se fiton Argjentina me rezultat 1:0. Besoj se do të jetë një finale e kujdesshme nga të dyja kombetarët dhe një detaj do të vendos fituesin.”
Gazetari i Tëvë1, Dukagjin Rudari pret që kombëtarja franceze të triumfojë në këtë finale të madhe.
Dukagjin Rudari (Tëvë1): Mendoj se Franca fiton 0:2. Skuadra franceze është më e përgatitur dhe luan lojë më ekipore se Argjentina, shto këtu edhe presionin që është më shumë në anën e Argjentinës. Franca edhe psiqikisht e ka më të lehtë ta fitojë trofeun”.
Përparësi kombëtares franceze i jep edhe gazetari sportiv i GazetaExpress dhe T7, Valon Konushevci – për shkak të kualitetit në grup.
Valon Konushevci (GazetaExpress – T7): “E shoh Francën favorite të lehtë duke e marrë parasysh kualitetin si grup dhe ecurine e deritanishme në Botëror. Por, duke e pasur parasysh faktin që Argjentina nuk e ka fituar këtë trofe qe 36 vjet, trofe që i mungon Leo Messi, mobilizimi i paparë i argjentinasve nuk lë hapësirë për të parashikuar fitues veçse mund ta prognozojë Francën”
Engjëll Berbatovci, gazetari dhe komentatori kosovar beson poashtu se Franca do të fitojë Botërorin.
Engjëll Bërbatovci (Radio Plus): “Në finalen e sotme, Franca del fituese ndaj Argjentinës. Futbolli është i pamëshirshëm dhe nuk t’i jep të gjitha trofetë e mundshme, ani pse Lionel Messi ka dhënë gjithçka dhe është ndër më të mirët në histori që kanë luajtur futboll. Franca janë më bindëse dhe e ka përvojën pasi shumica e lojtarëve veç e kanë fituar një finale të tillë, për dallim me Argjentinën ku emocionet i përballon vetëm Messi dhe në këtë kampionat e kanë pasur rrugën më të lehtë deri në finale. Franca sot fiton titullin e tretë të Kupës së Botës me rezultat 1:3”
Për fitoren e Francës sot është i bindur edhe Lorik Gashi, gazetari i sportit në Kanal10.
Lorik Gashi (Kanal 10): “Franca realizon fitore me rezultat 3:1, Mbappe dhe Giroud në rast se luan nga fillimi do të jenë protagonistë kryesor, derisa në anën tjetër reparti defanziv i Francës do të jetë në krye të detyrës duke markuar Lionel Messin.”
Gazetari i sportit në portalin, Metro, Elion Nuza beson se ka ardhur koha që Messi ta fitojë më në fund titullin që i mungon, andaj shpreson në fitoren e Argjentinës.
Elion Nuza (GazetaMetro): “2-1 për Argjentinën. Mendoj se ka ardhur koha që Messi më në fund të kurorëzohet me Kupën e Botës dhe sot është kjo ditë. Pa dashur të nënvlerësoj aspak Francën, por problemet e fundit me lëndimet dhe gripin mund të jenë faktor ndikues”.
/GazetaBlic Sport