Lajme

Sondazhet: Paralajmërimi i Kurtit për zgjedhje e Asociacion- Opozita e zënë në “befasi”

12/26/2023 13:50
nga:Gazeta Blic

Publikimi i sondazhit të djeshëm të UBO-s nga ana e TV Dukagjinit, ku VV del e para me 48%, pos që ka nxitur reagime të shumta, në fakt i ka dhënë edhe disa mesazhe politike.

E para, që kryeministri i vendit- njëherit lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mund ta çojë shumë shpejt vendin në zgjedhje të reja. Kjo kuptohet, nëse e lejojnë amerikanët. Dhe dihet, ata po duan nisjen e zbatimit të Asociacionit, ndonëse tashmë indikacione ka se veç ka nisur ky implementim. Pos targave që po pranohen nga serbët në veri të vendit, Kurti ka dhënë indikacione se është i gatshëm që ta pranoj draft- statutin e Asociacionit dhe të krijoj kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit.

Sondazhi i UBO-s i publikuar të hënën

Megjithatë, shefit të VV-së po i ngutet që të shkoj në zgjedhje, para se të “bëhet e madhe” se Asociacioni ka nisur të zbatohet- një kauzë kjo, përmes së cilës Kurti ka arritur të marrë pushtet me mbi 50 për qind. Atij i duhet mandati i dytë, eventualisht edhe ndonjë partner për të ndarë përgjegjësinë për krijimin e “Zajednicës”.

Por, në fund fjalën përfundimtare prapë e thonë amerikanët.

 

Sondazhi: Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot – LVV do t’i kishte 53 deputetë, PDK e LDK nga 20

Mesazhi i dytë që u nxor nga publikimi i sondazheve, ka të bëjë me faktin se opozita e ka pasur strategjinë e gabuar kur ka menduar se Amerika e “rrëzon” Kurtin, nëse Kryeministri nuk e kryen marrëveshjen me Serbinë.

“Blerjen e kohës” që e ka bërë Kurti për marrëveshjen me Serbinë dhe nisjen e implementimit të Asociacionit, opozita e ka parë si “armiqësi” me SHBA-të dhe të gjithë fokusin e shpresën e rrëzimit të Kurtit e kanë parë tek “Dragodani”.

Kjo nuk ndodhi.

Sepse Kurti i pranoi të gjitha. Pra, gjëja e vetme që ende nuk e ka pranuar Kurti, është që implementimin formal të Asociacionit, apo siç dikur kishte dëshirë ta quante “Zajednicën”, ta nis ta zbatonte në mandatin e tij të dytë.

Opozita, e zënë në “befasi” nga kjo taktikë e Kurtit, dhe e surprizuar nga sondazhi i UBO-s, duket se pos që gaboi strategjikisht, tash duket vonë për moblizim.

Derisa PDK e AAK, e quajtën të porositur këtë sondazh, LDK u kundërpërgjigj me sondazh të sajin.

Lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, e cila sipas sondazhit të fundit doli që ka vetëm 17 për qind, tha se ata kanë bërë një anketë, dhe se sipas tyre në shumë pjesë të vendit po prin LDK.

“Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër janë:

Prishtinë 35%

Lipjan 42%

Podujevë 35%

Obiliq 36%

Fushë Kosovë 34%”, ka shkruar ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përgjatë qeverisjes së Kurtit ka pasur një opozitë më agresive, ndonëse jo në mënyrë konsistente, publikimin e sondazheve e ka quajtur luftë sondazhesh e propagandash.

“Sot që është ditë feste e që do të duhej të kishte një garë se kush ka ide e plane më të mira për mirëqenien e popullatës që është në zgrip të ekzistencës, kemi luftë sondazhesh e propagandash!  Nuk mund të ketë dedikim më të mjerë në një ditë feste se sa lufta me sondazhe të blera!”, ka shkruar ai.

Nga PDK, si partia më e madhe opozitare, e e cila sipas sondazhit të publikuar dje, doli e dyta, me rreth 19 për qind, ka reaguar jo përmes kryetarit, por përmes nënkryetares, Vloras Çitaku.

Ajo i ka kërkuar Kurtit që le të shkojnë në zgjedhje e le të maten.

Vlora Çitaku – Albin Kurtit: Çohu shkojmë në zgjedhje, edhe e merr vesh tamam sa janë të kënaqur qytetarët me ty

Në anën tjetër, analistët politik kanë parashikime të ndryshme.

Derisa Shenoll Muharremi, një vrojtues i thuktë i skenës politike po thotë se VV pas publikimit të sondazhit është në ekzaltim, thotë se VV në zgjedhje nuk mund të marrë më shumë se 30%.

Parashikimi i analistit politik: VV do të dalë 30 për qind në zgjedhjet e ardhshme

Edhe një analist tjetër politik, Fidan Ukaj nuk po beson që sondazhi i publikuar do të korrespondoj me rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

“E sa i përket renditjes së subjekteve politike, mendoj se VV- ja e ruan akoma vendin e parë, si parti politike në Kosovë, nëse vendi do shkonte në zgjedhje, jo se ka bërë punë për të qenë e para, por se besimi i humbur në partitë opozitare që dikur ishin në pushtet nuk është rikuperuar akoma nga elektorati”, ka thënë Ukaj për GazetaBlic.

Parashikimi i analistiti politik: VV-ja e ruan vendin e parë, kjo është arsyeja