Sporti

Sommer: Inzaghi është mbresëlënës, jemi mes 3 ekipeve më te fortë në Europë

02/19/2024 10:51
nga:E K

Yann Sommer ka dhënë së fundmi një intervistë për mediet zviceriane, ku ka folur për sezonin e tij me Inter-in dhe për trajnerin e “zikaltërve”, Simone Inzaghi-n.

Portieri zvicerian theksoi se Inzaghi është një trajner që nuk i lë asgjë rastësisë, ndërsa shtoi se Inter-i kryeson në çdo aspekt si klub dhe skuadër.

“Puna e Inzaghi-t më bëri përshtypje që nga dita e parë. Nuk ka ndeshje të lehta në Serie A, të gjitha skuadrat janë të organizuara shumë mirë dhe ka shumë vëmendje për detajet. Trajneri ynë nuk i lë asgjë rastësisë, por ne mund të ndjekim udhëzimet duke përdorur edhe kreativitetin tonë. Inter-i është në krye në ambientet stërvitore, në departamentin mjekësor dhe në të gjithë skuadrën”-tha ai.

I pyetur nëse janë një nga tre më të mirët në Europë, Sommer u përgjigj duke thënë se “zikaltërit” kanë një uri të madhe për sukses dhe se kanë cilësi, përvojë dhe forcë në ekip.

“Nëse jemi ndër tre më të mirët në Europë? Të martën do të përballemi me Atletico Madrid në Champions League. Mjafton vetëm një ndeshje e keqe dhe gjithçka ka mbaruar, por ka një gjë që e ndjej çdo ditë te Inter, një uri të madhe për sukses. Arritja në finalen e Champions League sezonin e kaluar u dha lojtarëve dhe të gjithë klubit një imazh të jashtëzakonshëm. Atmosfera në të gjithë klubin është pozitive, ekipi ynë është me përvojë, i lidhur ngushtë dhe i fortë. Ka veteranë si Henrikh Mkhitaryan, i cili është 35 vjeç, por vrapon si një 20-vjeçar. Ne kemi lojtarë si Lautaro Martinez, Nicolo Barella dhe Benjamin Pavard, për të përmendur vetëm tre, të cilët sjellin shumë përvojë dhe mishërojnë cilësinë më të lartë ndërkombëtare”-vijoi zviceriani.

Ndërsa komentoi veçantinë e ndeshjeve në “San Siro”, 35-vjeçari theksoi se ende ndjehet i emocionuar kur luan aty.

“San Siro? Këtu në Itali pasioni i spektatorëve është i jashtëzakonshëm. Para se të lëvizja, e dija që Interi ishte një klub i pasur me traditë. Ishte e qartë për mua që San Siro ishte legjendar. Atëherë kur luajta për herë të parë me Interin në një stadium ë tej mbushur, ishte vërtet speciale. Unë jam ende i shqetësuar kur luajmë në San Siro, së fundmi kemi mundur Juventusin 1-0… Këto emocione dhe entuziazmi janë të pamasë, dashuria e tifozëve për Inter-in është pothuajse e pakufishme”-tha ndër të tjera Sommer.