Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përmes një postimi në faqen zyrtare të komunës, ka falënderuar qytetarët për sjelljen shembullore që kanë treguar gjatë fushatës zgjedhore, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të vetëdijes qytetare dhe respektit të ndërsjellë.
“Fushata zgjedhore po shkon drejt fundit dhe dua t’ju falënderoj sinqerisht për kulturën, maturinë dhe tolerancën që keni treguar gjatë gjithë kësaj periudhe,” ka shkruar Haliti, duke theksuar se gara politike në Viti është zhvilluar me respekt dhe pa ofendime apo përçarje.
Ai ka nënvizuar se kjo është rruga që forcon demokracinë dhe e bën shoqërinë më të bashkuar, ndërsa ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje të dielën.
“Të dielën, ju ftoj të gjithë të dilni dhe të ushtroni të drejtën tuaj demokratike. Çdo votë ka peshë, çdo zë ka rëndësi, dhe çdo qytetar ka përgjegjësi për të ardhmen e komunës sonë,” ka theksuar Haliti.


