Lajme

Sociologu: Trajtimi dhe respektimi i shëndetit mendor ende nuk ka arritur nivelin e vetëdijësimit

07/28/2024 22:11
nga:N K

Shëndeti mendor është thelbësor për funksionimin e plotë dhe të shëndetshëm të individëve dhe shoqërive. Ai ndikon në mënyrën se si përballojmë stresin, marrëdhëniet dhe sfidat e përditshme, si dhe në mënyrën se si ndiejmë dhe mendojmë.

Lidhur me këtë, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua sociologu Labinot Kunushevci. Ai tha se ende trajtimi dhe respektimi i shëndetit mendorë nuk ka arritur nivelin e duhur të vetëdijësimit.

“Trajtimi dhe respektimi i shëndetit mendor ende nuk ka arritur nivelin e vetëdijesimit mbi rëndësinë e tij, pasi ende neglizhohet, përbuzet dhe njerëzit qëndrojnë indiferent ndaj rreziqeve. Problemet e shëndetit mendor janë shumë serioze dhe ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi ai.

Tutje, ai thotë se shoqëria kosovare vuan nga shumë probleme të shëndetit mendor, e që sipas tij vijnë nga mungesa e intelegjencës sociale.

“Konsideroj se shoqëria jonë vuan nga shumë probleme të këtij lloji, që kryesisht vijnë nga mungesa e inteligjencës emocionale. Sindromi post-traumatik, stresi dhe depresioni, ankthi individual dhe social, defektet në formimin e personalitetit, manifestimet e formave abuzive, janë faktorë seriozë”, tha ai.

Kunushevci për në fund thotë se njerëzit sot përballen me debalancim emocional që ndikon drejtëpërdrejt në shëndetin mendor.

“Njerëzit sot në situata dramatike, kriza, tensione, konflikte dhe prishje të ekuilibrave të interesave, ballafaqohen me debalancim emocional që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor”, përfundoi sociologu Labinot Kunushevci.

/GazetaBlic/