Lajme

Sociologu Kunushevci: Të rinjtë sot përballen me krizën e identitetit, si pasojë e prishjes së ekuilibrit mendor

05/28/2024 10:03
nga:N K

Ekuilibri mental i të rinjve sot është nën ndikimin e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Në kohën e sotme presioni dhe ndryshimet shoqërore janë sfida të mëdha për të mbajtur një ekuilibër të shëndetshëm. Ka rëndësi vetë-kujdesi, ndërgjegjësimi për shëndetin mendor dhe mbështetja nga familja dhe miqtë për të ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrit.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua sociologu Labinot Kunushevci, i cili thotë se të rinjtë sot gjenden në situata kritike, përballë mundësive dhe pasojave.

“Të rinjtë e sotëm janë në një gjendje mjaft kritike edhe përballë mundësive dhe rreziqeve të ndryshme me të cilat ata qasen thuajse çdo ditë”, deklaroi ai.

Konushevci tregon për mundësitë që sot të rinjtë kanë dhe qasjet e tyre aktuale.

“Mundësitë vijnë nga inovacionet dhe trendet e reja, nga qasjet dhe burimet e shumëfishta të edukimit, përvojat dhe referencat e profesionistëve dhe autoriteteve shkencore”, tha ai.

Sociologu po ashtu flet për presionet nga të cilat vuajnë sot të rinjtë në shoqërinë moderne.

“Në anën tjetër të rinjtë sot vuajnë nga presionet e globalizimit kulturor, iluzionet dhe fantazitë që vijnë nga përdorimi joadekuat dhe i pakontrolluar i mediave si dhe nga mungesa e integrimit në shoqëri”, u shpreh ai.

Labinot Kunushevci - New York School of Science in Kosova

Për në fund, Kunushevci përmendi krizën e identitetit tek të rinjtë dhe si pasojë e kujt vjen kjo krizë.

“Mbi të gjitha të rinjtë sot përballen edhe me krizën e identitetit që vjen si pasojë e prishjes së ekuilibrit mendor dhe kulturor në të cilin duhen të jenë të vendosur”, përfundoi sociologu Labinot Kunushevci./Gazeta Blic/