Lajme

Smalji: Me ligjin për KPM-në cenohet barazia gjinore

07/19/2024 11:57
nga:Y I

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin “Politizimi i KPM-së”, analizë e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin Kuvendi e miratoi më 11 korrik 2024.

Nga të gjeturat e raportit, hulumtuesi i IKD-së, Florian Smajli tha se me ligjin e ri për KPM-në, cenohet barazia gjinore, përkatësisht, përfaqësimi i grave në Komision.

Ai shtoi se me ligjin e vjetër përcaktohet se nga gjithsej shtatë anëtarë të KPM-së, të paktën dy prej tyre duhet të jenë të gjinisë femërore, ndërsa me ligjin që u miratua, kjo dispozitë është larguar dhe përcaktohet se “Përbërja e anëtarëve të KPM-së pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës.

Së paku tre (3) anëtarë të KPM-së emërohen nga radhët e komuniteteve jo shqiptare” si dhe “Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së reflekton parimet e barazisë gjinore sipas legjislacionit përkatës për barazi gjinore”.

Për këtë, Smalji tha se në këtë dispozitë vërehet qartazi edhe kontradikta sa i përket parimit të barazisë gjinore, kjo pasi thuhet se përbërja e KPM-së pasqyron edhe karakterin gjinor të Kosovës, ndërsa nuk përkufizohet numri minimal i anëtarëve të gjinisë femërore.

“Kurse, ndryshe është vepruar me përkufizimin e numrit minimal të anëtarëve që duhet të jenë nga komunitetet jo shumicë, ku specifikisht është përcaktuar numri i anëtarëve të komuniteteve jo shumicë që duhet të përfaqësohen në Kuvend”, theksoi ai.

Sipas tij, referimi në legjislacionin për barazi gjinore, si tendencë për të arsyetuar përfaqësim të barabartë gjinor, nuk qëndron. Kjo pasi Projektligji për KPM-në i referohet përgjithësisht dhe jo specifikisht Ligjit për Barazi Gjinore. Kjo duke përmendur “parimet” dhe jo “përfaqësimin e barabartë”.

“Nuk është i mjaftueshëm referimi abstrakt në legjislacionin për barazi gjinore. Kjo qasje, ligjërisht, nuk garanton përfaqësim proporcional gjinor në KPM. Në vend të një referimi abstrakt, Ligji është dashur të specifikojë numrin e saktë të grave që duhet të jenë anëtare të KPM-së”, deklaroi Smajli.

Ai tha se ashtu siç është theksuar në raportin e IKD-së, mos përkufizimi i numrit minimal të anëtareve të gjinisë femërore, krijon mundësinë që në përbërjen e këtij Komisioni të mos jetë asnjë grua.

“Projektligji për KPM-në nuk ofron mundësinë që një konkurs në të cilin kriteret plotësohen vetëm nga burrat, të anulohet për shkak të përfaqësimit gjinor. Kështu, mos inkorporimi i dispozitës që përcakton numrin minimal të anëtareve gra në KPM cenon parimet e barazisë gjinore të përcaktuara në Ligji dhe kjo paraqet regres sa i përket barazisë gjinore”, përfundoi ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, me përkrahje e Rockefeller Brothers Fund, publikoi raportin “Politizimi i KPM-së” (Analizë e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave). /BetimipërDrejtësi