Lajme

Smakiqi: Sjellja e Kurtit ka bllokuar Kuvendin, zgjedhjet e reja janë thuajse të pashmangshme

04/15/2025 19:32
nga:Genita C

Avokati Xhevdet Smakiqi ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar direkt liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për gjuhën dhe sjelljen e tij gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas Smakiqit, bllokimi i Kuvendit është pasojë e një qasjeje primitive dhe përçarëse që ka cenuar interesin shtetëror të Kosovës.

“Për bindjen time ky bllokim i seancës konstituive të legjislaturës së IX të Republikës së Kosovës është pasojë e gjuhës ofenduese, pa edukatë, sjelljes së ulët publike dhe primitive të Albin Kurtit gjatë fushatës zgjedhore,” ka deklaruar ai.

Smakiqi për GazetaBlic shton se polarizimi i skenës politike erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i gjuhës së përdorur nga Kurti, i cili ndonëse ishte më i votuari në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka prodhuar pasoja të mëdha për vendin.

“Gjuha e ulët e personit më të votuar në zgjedhjet e 09.02.2025 që është Albin Kurti ka polarizuar, përçarë skenën politike me pasoja të pariparueshme për interesin shtetëror të Kosovës.”

Ai thekson se përgjegjësia nuk qëndron te elektorati i VV-së, por te vetë lideri i saj.

“Fajin dhe përgjegjësinë me pasojat kundër interesit të Kosovës si Republikë e ka pra LVV, jo me elektoratin e saj por me liderin e saj Albin Kurti.”

Sipas Smakiqit, opozita nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në procedura formale kur ajo është ofenduar dhe nënçmuar gjatë gjithë fushatës.

“Opozita e ofenduar, nënçmuar, përulur nuk e bart përgjegjësinë për të votuar as procedurat teknike formale siç ishte raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve.”

Ai madje shkon më tej, duke thënë se vetë deputetët e VV-së, për shkak të qasjes së liderit të tyre, kanë vepruar kundër Republikës së Kosovës.

“Pra me një fjalë 48 deputetët e LVV-së, për shkak të sjelljes ofenduese të liderit të tyre në fushatën zgjedhore, kanë shkelmuar votën qytetare dhe kanë vepruar kundër Republikës së Kosovës, sepse shumica parlamentare duhet të sigurojë mbarëvajtjen e seancës konstituive por edhe vendimmarrjes politike, duke dominuar interesi publik e jo individual për narcizizmin e Albin Kurtit.”

Nga pikëpamja juridike, Smakiqi thekson se seanca ka dështuar dhe afati prej 48 orësh për miratimin e raportit të Komisionit është konsumuar.

“Nga pikëpamja juridike në kuptim të neneve 7, 8 dhe 12 të Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive ka dështuar dhe votimi/mosmiratimi i raportit të Komisionit Verifikues ka konsumuar edhe afatin 48 orësh.”

Ai përfundon me një vlerësim të qartë ligjor:

“Me një fjalë, sipas interpretimit tim juridik, ka shumë pak hapësirë juridike të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.”.

 

Humolli pas dështimit të Kuvendit: Qeveria nuk po e vlerëson as votuesin, as realitetin ku jeton