Avokati Xhevdet Smakiqi, në një intervistë për Gazeta Blic, lidhur me pezullimin e dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën, është shprehur se vendin e pret një izolim dhe dëm i madh në arenën ndërkombëtare, pasi sipas tij, SHBA-të janë faktor kyç për lirinë që gëzon sot Kosova.
“Pas vendimit të fundit të SHBA-së, Kosovën e pret një izolim total dhe dëm shumë i madh në arenën ndërkombëtare, përfshirë sigurinë kombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë liribërëse dhe lirigarantuese në mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ushtarët amerikanë, KFOR-i dhe kampi Bondsteel janë garanca e përhershme që ne sot jetojmë të lirë”, ka deklaruar Smakiqi.
Ai më tej shtoi se kushdo që ka mospajtime me SHBA-të, sipas tij, në mënyrë të tërthortë pajtohet me Serbinë dhe aspiratat e saj ndaj Kosovës.
“Çdo ministër apo politikan që është kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo ka dallime me to, në fakt pajtohet me Serbinë që ajo të rikthehet dhe ta pushtojë Kosovën”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera, Smakiqi është shprehur i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, duke e konsideruar bllokadën institucionale si pasojë të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po, absolutisht. Duke parë që bllokuesi i tërë këtij moskonstituimi të Kuvendit të Kosovës është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Është detyruar Gjykata Kushtetuese të nxjerrë dy vendime, dhe tani është duke përgatitur të tretin për deputetët e komuniteteve jo-shumicë të Kosovës”, ka thënë Smakiqi.
“Konsideroj se nuk ka mbetur asgjë tjetër, përveç që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, e cila ka qenë edhe qëllimi hakmarrës i Albin Kurtit”, ka përfunduar ai.


