Lajme

Smakiqi: LVV ka keqqeverisur me Kosovën – “Republika e Tretë” kurrë s’do të ndodhë!

09/08/2025 13:49
nga:Genita C

Avokati Xhevdet Smakiqi ka reaguar ndaj deklaratave të fundit mbi shpalljen e “Republikës së III të Kosovës”, duke i cilësuar ato si propagandë të pastër dhe të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ai për GazetaBlic theksoi se këto deklarata, që po bëhen për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me rregullat ndërkombëtare.

“Ky është një mashtrim i pastër dhe një slogan nacionalist për të fituar vota. Ashtu si premtimi i dështuar për Bashkimin Kombëtar, tani po mundohet të zhvillohet një agjendë që rrezikon të çojë Kosovën në rrethana të paqëndrueshme,” tha Smakiqi, duke iu referuar deklaratave për krijimin e një “Republike të III të Kosovës.”

“Partia më e madhe parlamentare, LVV, që e ka keq-qeverisur Kosovën që nga viti 2021, ka dështuar në planin ekonomik zhvillimor, në arsim, integrimin euroatlantik, ka sjellë Kosovës izolim e sanksione nga BE-ja, ka varfëruar qytetarët me shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike, ka dëmtuar bizneset dhe, që prej 6 muajsh, ka bllokuar konsititucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ka humbur miqtë ndërkombëtarë dhe tani, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së qytetarëve nga dështimet sistematike, si parti proklamojnë Republikën e III, e cila kurrë nuk do të ndodhë”, shtoi ai.

Smakiqi theksoi se këto deklarata janë të pa realizueshme dhe përbëjnë një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Ai shtoi se veçanërisht pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe angazhimit të Kosovës për të ruajtur kufijtë e saj të njohur, këto ide janë një sfidë për të drejtat e pakicave dhe misionet ndërkombëtare të mbrojtjes.

Përfundimisht, Smakiqi bëri thirrje që politikat e tilla të dëmshme të ndalohen dhe se Kosova duhet të ruajë stabilitetin dhe përkushtimin për integrim në Bashkimin Evropian dhe partneritetin me shtetet mike.

“Në aspektin juridik, Kushtetuta garanton të drejtat e pakicave, jo shumicës, të Kosovës dhe misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it. Pa një luftë të re, këto të drejta nuk mund të arrihen, dhe lufta nuk mund të bëhet kundër shteteve mike që i ruajnë kufijtë. Prandaj, këto deklarata janë utopike, të pa realizuara, kundërkushtetuese dhe të krahasueshme me lëvizjet e Milorad Dodik në Bosnjë për prishjen e paqes në Ballkan”, tha ai.