Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar mbi refuzimin e mundshëm të Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar në ambientet e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).
Sipas tij, në kuptim të nenit 132, par. 1, të Kodit të Procedurës Penale, nëse Kurti nuk paraqitet pa asnjë arsyetim dhe qëllimisht, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të shqiptojë një gjobë prej 250€.
Ai për GazetaBlic, theksoi se në rast se Kurti vazhdon të refuzojë, një gjobë tjetër prej 250€ mund të shqiptohet, dhe nëse këto gjoba nuk paguhen, mund të shqiptohet masa e paraburgimit deri në 30 ditë.
“Në kuptim të nenit 132, par. 1, nëse dëshmitari Albin Kurti, qëllimisht dhe pa asnjë arsyetim, nuk prezantohet në zyret e PSRK-së në orën 10:30, atëherë mund dhe duhet që gjyqtari i procedurës paraprake t’i shqiptojë një gjobë prej 250€. Nëse ai përsëri refuzon, mund të shqiptohet një tjetër gjobë prej 250€. Nëse gjobat nuk paguhen, ose nëse krijohet bindja nga sjellja e dëshmitarit se ai nuk do të përfillë urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, atëherë duhet t’i shqiptohet masa e paraburgimit deri në 30 ditë. Kundër kësaj mase lejohet ankesa në kolegjin e Gjykatës së Apelit, në kuptim të nenit 132, par. 3 dhe 4 të KPPRK-së”, tha Smakiqi.
Smakiqi shtoi se sjellja e Kurtit, duke detyruar Prokurorinë dhe gjyqtarin të nxjerrin këto urdhra, përbën një tentim për të nënshtruar sistemin e drejtësisë dhe për të shmangur zbatimin e ligjit. Ai e cilësoi këtë si një praktikë të rrezikshme që mund të dëmtojë besimin në funksionimin e institucioneve të drejtësisë në vend.
Avokati përfundoi se çdo vendim për paraburgim mund të apelohet në Gjykatën e Apelit, sipas parimeve të Kodit të Procedurës Penale.
“Sjellja e Albin Kurtit, duke detyruar PSRK-në dhe gjyqtarin e procedurës paraprake të nxjerrin këto urdhra, përbën tentim të dëshmitarit për të nënshtruar sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.
Ndryshe, Kryeministri, Albin Kurti të martën në orën 10:00 ka ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të dëshmuar në raporton me kërkesën e Prokurorisë Speciale lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.
Përkundër urdhrit të gjykatës për tu paraqitur në prokurori, Kurti ka agjendë tjetër për nesër


