Smajl Latifi, kandidat i AAK-së për deputet, theksoi rëndësinë e kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve të kombit, duke shprehur mirënjohje për sakrificat e tyre heroike, raporton GazetaBlic.
Ai e vlerësoi Flakën e Janarit si simbol të sakrificave për lirinë dhe theksoi se Rahoveci, si qendër e madhe mbarëkombëtare, përcolli mesazhe të fuqishme kombëtare gjatë aktivitetit.
Po ashtu, Latifi u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i dorëzonte “Medaljen e Lirisë” Ali Ahmetit, për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Ai theksoi se ky aktivitet ishte një përkujtim i rëndësishëm i sakrificës dhe angazhimit të shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.
E plotë:
Sot, në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, së bashku me familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë, qytetarë dhe figura të shquara të çështjes kombëtare, kujtuam dhe nderuam dëshmorët e kombit Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, në 35-vjetorin e rënies së tyre heroike.
Në këtë koncert, si pjesë e aktiviteteve të Flakës së Janarit, na shoqëruan emocionet e veçanta të një koncerti-homazh, ku artistet Besiana Mehmedi dhe Adelina Paloja, me zërat e tyre të mrekullueshëm, përcollën mesazhe frymëzimi dhe krenarie për sakrificën e dëshmorëve të shoqëruara nga profesoresha Alba Muçolli në piano! Pika qëndrore e programit ishte kënga premierë “Fanar” dedikuar katër dëshmorëve tanë, kompozuar enkas për këtë aktivitet dhe interpretuar nga Besiana Mehmedi. Programin e begatoi pianistja dhe profesoresha e njohur nga Tirana Rudina Ciko si dhe maestro i madh i muzikës Zhani Ciko.
Një moment i rëndësishëm ishte ceremonia e dhënies së mirënjohjeve për zonjat e hekurta të shoqërisë sonë, me motivacionin “Për rezistencën kombëtare dhe kontributin në revolucionin e madh që nisi në vitin 1981, duke kulmuar me shtetformimin dhe arritjen e lirisë së plotë të Kosovës”, ku mirënjohje morën: Nëna Stanë, Edita Tahiri, Flora Brovina, Myrvete Dreshaj, Ajshe Gjonbalaj, Florije Osmani, Bademe Gashi, Arbana Qeriqi, Hyrishahe Sylka, Melihate Hoti- post mortem, Ylfete Humolli- post mortem (e pranoi motra Vlora dhe vëllau Arianiti).
Gjatë aktivitetit, shpallëm gjithashtu fituesit e konkursit për krijimtari letrare, kushtuar Flakës së Janarit, ku krijimet artistike na kujtuan fuqinë e fjalës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar për çështjen kombëtare shqiptare, pata nderin t’i jap “Medaljen e Lirisë” patriotit të shquar, z. Ali Ahmeti, me motivacionin “Për kontributin e vazhdueshëm atdhetar në të gjitha etapat e historisë më të re kombëtare, për angazhimet e përhershme në funksion të afirmimit kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe për mbrojtjen e vlerave historike të shqiptarëve në trojet e veta”. Edhe pse ai nuk mundi të ishte i pranishëm, mirënjohja jonë për rolin e tij në mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare mbetet e pashoq.
Sot Rahoveci ishte qendër e madhe mbarëkombëtare prek ku u përcollën mesazhe të fuqishme kombëtare dhe një program i nivelit të lartë profesional.
Flaka e Janarit është dhe do të jetë një simbol që na kujton sakrificat e mëdha për lirinë. Nga Rahoveci, përcollëm mesazhin tonë të nderimit për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë të lirë dhe të dinjitetshme.