Sporti

Slot në presion pas krizës te Liverpool: “Ne vazhdojmë të luftojmë

11/28/2025 10:40
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, është shprehur i vendosur për të vazhduar punën dhe për të përmirësuar gjendjen e ekipit, pavarësisht krizës së thellë të rezultateve.

Liverpooli aktualisht po kalon formën më të dobët të viteve të fundit. Kampioni i Premier League është turpëruar 4:1 në “Anfield” nga PSV në Champions League, humbja e nëntë në dymbëdhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Në konferencën për shtyp të enjten, tekniku holandez është pyetur nëse ka pasur biseda me pronarët pas humbjes së rëndë nga PSV Eindhoven.

“Ne kemi pasur të njëjtat biseda që kur kam ardhur këtu”, ka thënë Slot. “Ne vazhdojmë të luftojmë dhe përpiqemi të përmirësohemi. Kjo është ajo që bëjmë të gjithë. Bisedat me pronarët kanë qenë të njëjta për një vit e gjysmë”.

Ai e ka pranuar se standardet e skuadrës kanë rënë, por i ka mbrojtur lojtarët e tij.

“Mendojmë se mund të luajmë më mirë se kaq”, është shprehur Slot. “Edhe sezonin e kaluar kam thënë se suksesi vjen nga ekipi, jo nga individët. Edhe tani duhet të shikojmë ekipin si tërësi, jo të fajësojmë lojtarë të veçantë”.

Të dielën, Liverpooli përballet me West Ham, një skuadër e rilindur nën drejtimin e Nuno Espirito Santo, teksa “The Reds” kërkojnë të largohen nga pozita e dymbëdhjetë në tabelë.