Lajme

“S’kishte një orë që ishim bashkë”- Motra e heroit Isa Kastrati rrëfen momentin kur mësoi për vrasjen e tij!

11/28/2025 22:43
nga:Y I

Në emisionin Pressing sonte po flasin tri ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shyhrete Kastrati, Velvetie Zogaj dhe Demrije Salihaj, të cilat po ndajnë rrëfime personale për luftën, humbjet dhe sakrificat e familjarëve e bashkëluftëtarëve të tyre.

Shyhrete Kastrati ka treguar se lajmin për vrasjen e vëllait të saj, heroit Isa Kastrati, e ka marrë vetëm pasi gjithçka kishte ndodhur. Ajo thotë se pak para se të binte në pritën serbe, ata ishin bashkë dhe ishin ndarë vetëm rreth një orë më herët.

“Vrasja e Isës ka ndodh… s’ka pas diku një orë që ne jemi nda, që ishim bashkë. Ai shkoi në një anë tjetër dhe aty bie në pritën serbe dhe vritet. Fatkeqësisht për vrasjen kam dëgjuar më vonë, jo në ato momente. Ka qenë moment rrënqethës që nuk muj me përshkru as me fjalë,” ka thënë ajo.

Shyhrete Kastrati e përshkruan Isën si veprimtar të madh të kombit, por edhe si njeriun që i orientonte të gjithë ata që e rrethonin.

“Ai, përveç që ka qenë një veprimtar i madh i kombit, ka qenë edhe një mësues për brezat e rinj. Sidomos ne familjarët e tij, gjeneratat e reja e kemi pas si udhërrëfyes,” u shpreh ajo.