Lajme

Skënder Hyseni: Nuk ka zbatim të Asociacionit para marrëveshjes finale

06/10/2021 22:20
nga:Y I

Ish-Koordinatori Nacional për Dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka zbuluar për herë të parë në Rubikon se Bashkimi Europian por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin idenë që marrëveshjet e arritura deri më tash me Serbinë, të zbatohen pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare për normalizim raportesh.

Hyseni këtë e tha ndërsa komentoi kërkesën e palës serbe, që Asociaconi të zbatohet paraprakisht.

”Sa i përket Asociacionit, është ratifikuar marrëveshja e Asociacionit në Kuvend të Republikës së Kosovës”.

”Kosova duhet të demonstrojë seriozitet të skajshëm në zbatimin e zotimeve që i merr ndërkombëtarisht me nënshkrimin e saj. Meqë ka filluar një proces gjithëpërfshirës për marrëveshje të përgjithshme, ligjërisht e obligueshme dhe ndërkombëtarisht e obligueshme dhe statusi i Asociacionit ka hyrë si një prej elementeve të asaj marrëveshje. Prandaj ne kemi marrë atë qëndrim, që nuk ka zbatim as të Asociacionit, para se të nënshkruhet [marrëveshja gjithëpërfshirëse]. Dhe këtë e ka në dijeni të plotë edhe [Miroslav] Lajçak dhe janë plotësisht dakord”.

”Unë po e them publikisht, mirë që kam dëshmitarë që kanë qenë në tavolinë me mua. Një nga përleshjet e mëdha që kemi pasur në takimin e fundit me [Petar] Petkoviqin, ka qenë lansimi nga ana e tij të një slogani të ri ”Përmes zbatimit te normalizimi”. Ata [pala serbe] insistojnë të zbatohen të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë këtu edhe Asociacionin”.

”Natyrisht unë kam reaguar bukur egër aty sepse në publik e media nuk reagoj egër, por aty ku duhet di me reagu bukur egër”.

”I kam thanë ”Përmes njohjes te zbatimit” – dhe kjo është formula të cilën e pranon Kosova”.

”Dhe Kosova nuk pranon asnjë formulë tjetër dhe nuk guxon të pranojë asnjë formulë tjetër dhe të njëjtin pozicion unë ua kam shfaqë [Richard] Grenellit, [Matthew] Palmerit, çdo kujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departament të Shtetit, dhe ata kanë qenë në dijeni dhe në dakordim të plotë që ky proces i rinisur në korrik nuk duhet të përfundojë me një zgjidhje parciale, por duhet të mbyllet me një pako të përgjithshme”.