Ish-ministri i Jashtëm nga radhët e LDK-së, Skënder Hyseni, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”, ka risjellë edhe njëherë në vëmendje deklaratën e muajve me parë bërë për presidenten Osmani, deklaratë e cila solli reagimin e ashpër të LDK-së.
Hyseni sqaroi se në atë deklaratë ka vendosur në fokus diskursin që po përdorej ato dite, që sipas tij ishte tërësisht antikosovar.
“I kam pa reagimet e LDK-së si shumë absurde, sepse mund ta përsëris edhe sot e gjithnjë do ta përsëris se në atë deklaratë unë kam vendos në fokus timin diskursin i cili po krijohej ato ditë në Kosovë, një diskurs tërësisht antikosovar sikur Kosova ka armiq gjithandej në botë, madje edhe Escobar shihej anues nga Serbia po ashtu edhe Borrel edhe Lajçak, të gjithë. Ky është diskurs të cilin Millosheviqi e përdorte në vitet 90-të në mitingje, dhe e dimë ku ka përfundu Millosheviq me kete diskurs. Pra unë kam vendos në fokus te kritikës time diskursin teresisht të panevojshëm, sepse Kosova nuk ka armiq në perëndim”
Hyseni tha se reagimi i LDK-së ishte tërësisht irracional, dhe shumë komunist.
Ai tha se në LDK ka një “virus” të fortë të Vetëvendosjes dhe se në Kryesi ka një grup të vogël që janë tërësisht VV.
“Ndërkohë reagimi i LDK-së ka qenë tërësisht irracional, madje as sot e kësaj dite nuk e kuptoj dhe kam shumë problem të gjej diçka racionale për ta kuptuar atë reagim përveç se në LDK ka një virus të fortë të Vetëvendosjes. Ka një grup të vogël në kryesi të LDK-së që janë tërësisht Vetëvendosje dhe nuk mund të jenë asnjëherë asgjë tjetër pos Vetëvendosje. Me se paku janë LDK ata njerëz dhe si duket ata kanë nje nevojë që shefave të tyre Kurtit dhe Osmanit t’iu dalin ne mbrojtje. Por, e kanë gjetur mënyrën më të keqe për t’iu dalë në mbrojtje sepse Skënder Hyseni nuk lodhet për kritikat që i vijnë për fjalën e tij publike për aq kohe sa është i bindur se atë që e thotë e thotë ne te mire te proceseve për vendin. Nuk bëjë kritika nga inate personale se nuk kam. Në reagimet që kanë pasur pas asaj deklarate unë kam parë veç inate personale, nuk kam pa asgjë racionale, reagim politik racional. Kam pa inate personale, kam pa mllefe te cilat unë nuk i kuptoj, por le të merren me ato, ata që i bënë, mua nuk më bën përshtypje absolutisht.Reagimi i LDK-së përpos irracional, ishte dhe shumë komunist, përmbante aq shumë dogmë komuniste ” tha Hyseni për “Gazeta Blic”.
Intervisten e plotë të Skender Hysenit e ndiqni në “Gazeta Blic”