Partitë opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës: PDK, LDK dhe AAK me gjasë do t`i shkojnë deri në fund idesë për rrëzimin e Qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.
E nisur vetëm si ide propozimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti pritet të ‘finalizohet’ javën e ardhshme.
Lëvizje konkrete priten nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë në këtë drejtim, ku këta të fundit tashmë kanë hedhur në letër se si do të duket mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
Javën që vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që drejtohet nga Ramush Haradinaj do të prezantojë një draft të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Gazeta Blic ka kontaktuar me shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili ka konfirmuar se javën e ardhshme do të ketë takime e lëvizje konkrete në këtë drejtim.
“Është e vërtetë se Aleanca është duke punuar për një draft se si do të mund të jetë mocioni për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë ai.
Sipas tij, qysh nga java e ardhshme do të ketë edhe takime mes shefave të grupeve, fillimisht e më pas mund të ketë edhe takime ndërmjet Ramush Haradinajt, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut.
“Drafti do të diskutohet mes grupeve të shefave parlamentare, gjegjësisht me Abelard Tahirin e Arben Gashin, ku edhe këto parti politike do të mund të japin idetë dhe propozimet e tyre për draftin, e më pas do të ketë një takim të nivelit mes liderëve të partive opozitare”, tha ai.
Krejt kjo ide që ka nisur nga partia që me numra është e treta opozitare në Kuvendin e Kosovës, AAK , pas zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, dhe mosdëgjueshmëria e kryeministrit Kurti të kërkesave të SHBA dhe BE për de përshkallëzimin e situatës së sigurisë në Veriun e Kosovës.
Si pasojë e kësaj, SHBA BE dhe vende të fuqishme si Gjermani kanë nisur sanksionet ndaj Kosovës deri në një moment kur pritet ose jo reflektimi i qeverisë për kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.
Akt kombëtar e ka quajtur lideri i AAK rrëzimin e Qeverisë Kurti, përderisa dy partitë të tjera LDK dhe PDK kanë marr vendim që mos të votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës si pasojë e situatës së krijuar.
SHBA dhe BE vazhdimisht kanë kërkesa ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për zbatimi ne tri pikave që do të mund të qonte në normalizimin e situatës në veri, mbajtën e zgjedhjeve në katër komunat veriore dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.
Deri në këto momente pos deklaratave të Kutit se mund të mbahen shpejt zgjedhjet në veri, nuk ka ndonjë lëvizje se kur ato do të mbahen ose përmes cilit variant do të mund të dorëhiqen kryetarë te zgjedhur shqiptar në katër komunat në pjesën e veriut të vendit.
/Gazeta Blic/