Lajme

“S’kemi vija të kuqe për asnjë parti”/ PDK e VV flasin për mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve

06/26/2024 12:58
nga:G B

Zgjedhje të parakohshme nuk pati, pavarësisht kërkesës së opozitës.

Pozitë e opozitë hodhën akuza ndaj njëra tjetrës për mos gatishmëri për të shkuar në zgjedhje, derisa opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa Kurti tha se s’ka arsye të japë dorëheqje por ia bën numrat opozitës për shpërndarje të Kuvendit, nëse ajo është unike.

E, derisa pritet mbajtja e zgjedhjeve të rregullta derisa jemi në vitin e fundit të qeverisjes së kryeministrit Kurti, partitë po japin vlerësime për rezultatet që presin t’i kenë në këto zgjedhje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një intervistë për Gazeta Blic, tha se është paradoks që opozita nuk ishte e gatshme për zgjedhje, derisa kërkonte që qeverinë Kurti ta çonte në shtëpi.

Sipas tij, opozita nuk ishte e gatshme për shkak se e dinë se janë shumë keq.

“Është e vërtetë që nuk pati zgjedhje të parakohshme. Është pak njëfarë paradoksi sepse në njërën anë thonë Qeveria Kurti shumë e keqe e duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejtë. Kur u tha kryeministri Kurti “më çoni në shtëpi, unë po ua bëj disa numra dhe shpërndajeni Kuvendin”, ata po refuzojnë. Sikur ta kishin pasur këtë besimin e tyre që thonë se do të dalin në vend të parë, ata do të shkonin në zgjedhje prej kohësh, por duke e marrë parasysh që qëndrojnë shumë keq për shkak të punëve të mira të qeverisë sonë, prandaj edhe ata po hezitojnë të shkojnë në zgjedhje por zgjedhjet do të vijnë herët a vonë, është çështje kohësh”, thotë ai.

Sipas deputetit, qeveria Kurti është më e mira në rajon dhe do të vazhdojë me punë të mira.

“Ne mendojmë se do të vazhdojmë me punë të mira, jemi qeveria e parë që nuk flitet për krim e korrupsion dhe jemi duke i luftuar ato, qeveria e parë që nuk bën koalicione me Listën Serbe e Radojçiqin por po i lufton ata. Qytetarët e Republikës e kanë parë që është dëshmuar që kemi një kryeministër i cili po i zbaton premtimet që i ka bërë dhe rrjedhimisht gjejmë edhe mbështetje te qytetarët e Kosovës, pasi jo vetëm në Kosovë por e kemi qeverinë më të mirë edhe në rajon”, vlerëson Basha.

Sa i përket rezultatit, deputeti thotë se fitorja nuk është temë por presin që t’i marrin mbi 50 për qind të votave.

“Për fitore po besoj nuk është më temë por gjithsesi presim edhe një mandat të shkojmë me mbi 50 për qind”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me mundësinë për të bërë koalicion me ndonjë parti, ai hedh poshtë mundësinë për koalicion me PDK-në, me të cilën u përfol se mund të kenë.

“Koalicion kemi me Listën Guxo, me Alternativën, partneritet i mirë, kështu që besoj se do të vazhdojmë”, deklaron deputeti Dimal Basha.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë për Gazeta Blic se si PDK s’kanë vija të kuqe për asnjë parti, por që duan të kenë koalicion me qytetarët.

“Vija të kuqe PDK s’ka pasur asnjëherë. Ne jemi të interesuar të kemi koalicion me qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Beqa shprehet optimist për fitore të PDK-së në zgjedhjet e ardhshme, me kandidatin e tyre për kryeministër, Bedri Hamza.

“Ne si PDK, parti institucionale, parti që jemi të përgatitur të parët për zgjedhje, kemi kandidatin për kryeministër të promovuar dhe mandatuar nga të gjitha organet e PDK-së, PDK është duke punuar edhe në teren por edhe në projektin që do t’i bie tamam qytetarëve dhe për katër vitet e ardhshme. Jam shumë optimist që PDK do të jetë partia fituese në zgjedhjet e ardhshme”, deklaron deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa./Gazeta Blic/

Lushtaku: Nuk pres mrekulli nga takimi në Bruksel, Lajçaku nuk është i paanshëm, e kuptoi edhe Kurti

Beqa: Masat e padrejta të BE-së duhet të hiqen – dialogu deri tani i dështuar, Kosova është dashur të ketë strategji

Basha: Lajçak ka dështuar në dialog, ai dhe Borrell të merren me Vuçiqin për zbatim të marrëveshjes