Analisti politik Gazmir Raci thotë se edhe pse dialogu po vazhdon në nivel të kryenegociatorëve, është fakt pozitiv.
Raci në një prononcim për GazetaBlic thekson se, vetëm njohja de-facto është kusht për të ecur tutje.
“Është mirë që dialogu po vazhdon në nivel të kryenegociatorëve. Kosova e ka pozicionin shumë të qartë në këtë drejtim. Njohja de-facto është kusht për të ecur tutje, për këtë kanë bërë kërkesë zyrtare edhe Gjermania, Franca dhe Italia si ndërmjetësit kryesor të planit franko-gjerman”, tha Raci.
Tutje, thotë se nëse Serbia aq shumë e do anëtarësimin në BE do të detyrohet ta njohë Kosovën.
Krahas kësaj, edhe Kosova ka obligimet e veta përfshirë këtu implementimin e Asociacionit.
“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, ajo duhet ta njohë de-facto Kosovën, të zbatojë planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit. Natyrisht edhe Kosova ka obligimet e saja që duhet t’i implementojë konform marrëveshjeve të Brukselit, por edhe Asociacioni është udhërrëfyes”, tha Raci.
Sipas Racit, asnjë politikan përfshirë këtu kryeministrin Kurti nuk pranon Asociacion që është në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.
“Unë nuk besoj që as kryeministri Kurti dhe asnjë politikan tjetër nuk mund të bëjë marrëveshje për një Asociacion tjetër. Asociacion një etnik nuk mund të ketë në Kosovë dhe as Asociacion që bie në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës”, tha Raci për GazetaBlic.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Fidan Ukaj thotë se dialogu në nivelin e kryenegociatorëve nuk është që ka treguar ndonjë rezulat.
Ukaj për GazetaBlic thekson se, arsyeja që jemi në këtë gjendje tani për tani janë zgjedhjet në Serbi.
“Zgjedhjet në Serbi e mosformimi i Qeverisë atje, e ka zhvendosur nivelin e dialogut në nivel teknik, në nivel të kryenegociatorëve, gjë që nuk është se ka treguar rezultat”, tha Ukaj.
Ukaj thotë se e vetmja shpresë është presioni i ndërkombëtarëve për shtyerjen e palëve që të kenë takim të nivelit të lartë.
“Mbetet të shihet se sa do të jetë i gatshëm faktori ndërkombëtar për shtyrjen e palëve që të ketë takim të nivelit të lartë, poashtu edhe çfarë mekanizmash do të përdorin për të detyruar palët, me theksë të veçantë Serbinë, që marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të zbatohen”, tha Ukaj për GazetaBlic.
Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup, ka thënë se ai sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”, ka thënë Kurit
Ai ka theksuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdheniet me Serbinë, pasi sipas tij Serbia nuk e ka Demokracinë për qejf.
“Pasi ne jemi shtet normal e demokratik që duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me një shtet që nuk është demokratik, dhe sipas organizatave më prestigjioze ndërkombëtare vlerësohet regjim hibrid. Nuk duhet të penalizohemi’, ka thënë Kurti.
Nga Shkupi Kurti ka theksuar se aktualisht dialogu po zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve dhe se nuk ka diçka të re sa i përket ndonjë takimi të mundshëm të nivelit të lartë.
Kurti nga Shkupi: S’marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut
Kurti: Masat e sigurisë ndaj Serbisë s’mund t’i heqim, terroristët po veprojnë të lirë atje


