Kupa e Botës 2022

“S’kemi mbrojtës krahu, Spanja na shkatërron”, legjenda gjermane pesimist

11/24/2022 17:28
nga:Mergim Rreci

Gjermania doli pa pikë nga sfida e parë në Botërorin e Katarit. Skuadra e Hansi Flick, humbi 1-2 ndaj Japonisë, duke shkaktuar trishtim dhe zemërim të madh te tifozët. Të dielën luhet finalja e parakohshme ndaj Spanjës, përballje që duhet fituar me çdo kusht për të mbetur në garë për kualifikimin.

Legjenda e futbollit gjerman, Lotthar Matthaus, i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, ndihet pesimist në lidhje me duelin ndaj Kombëtares së Luis Enrique-s, teksa kritikon lojtarët e Gjermanisë dhe trajnerin Hansi Flick.

“Golat e Japonisë erdhën nga krahët. Arsyeja është që në Gjermani nuk kemi mbrojtës të mirë krahu. Në golin e dytë, Raum ishte shumë larg lojtarit japonez. Në Kombëtare nevojiten mbrojtës që dinë të mbrojnë.

Schlotterback dukej i pasigurt dhe nuk ishte mjaftueshëm agresiv. Edhe zëvendësimet nuk ishin të qëlluara. Unë e mbështes gjithmonë Flick, por disa gjëra nuk arrij t’i kuptoj! Trajneri duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve në lidhje me humbjen ndaj Japonisë.

Çfarë bënë lojtarët e krahut në këtë ndeshje? Pse Kehrer, i cili ka luajtur në ndeshjet e fundit në mënyrë të rregullt, nuk u aktivizua? Nëse ndaj Spanjës luajmë si kundër Japonisë, do të eliminohemi nga Kupa e Botës.

Skuadra është nën presion, një presion më shumë se ekstrem, pasi duhet fituar ndeshja ndaj Spanjës. Ka shumë gjasa që një pikë mund të rezultojë e pamjaftueshme, kështu që duhet vetëm fitorja”, deklaroi ish-kapiteni i kombëtares gjermane.