Spitali i Pejës njofton se në mesin e shtatë punonjësve që janë suspenduar lidhur me rastin e foshnjës së lindur pa shenja jete, që dyshohet se u fut në rrobalarëse, janë katër mami, një pastrues dhe dy punëtore të shërbimit teknik.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Spital i Pejës njofton se në objekt kanë një personel të sigurimit të përbërë prej 15 personave.
“Siç kemi deklaruar për opinionin deri më tani, ende pa u mbyll procedura disiplinore nga ana jonë dhe as hetimet nga ana e organeve hetuese që kanë filluar më datë 14.14.2022 janë suspenduar 7 të punësuar dhe atë 4 mami, 1 pastrues dhe 2 punëtore të shërbimit teknik”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.
Ndryshe, më 21 dhjetor, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmoi rastin ku dyshohet se foshnja që u lind pa shenja jete, u fut në rrobalarëse.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar, Kryeprokurori së bashku me Inspektoratin e Shëndetësisë kanë dalë në vendngjarje, ku janë ndërmarrë disa veprime të caktuara dhe janë në pritje disa rezultate nga Inspektorati për këto veprime”, tha Nikçi.


