Lajme

“Skandal pas skandali” / Memli Krasniqi komenton blerjen e librave nga prindërit, përmend Hashim Thaçin

08/21/2023 15:38
nga:N M

Kryetrari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka reaguar pasi që MASHT që drejtohet nga Arbërie Nagavci nuk e ka përjashtuar mundësinë që prindërit vetë t`i blejnë librat shkollor për fëmijët e tyre, raporton Gazeta Blic.

Sipas Krasniqit , mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.

“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.
Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë.
Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.