Sporti

Skandal në Gjermani për shkak të fanellës | Adidas e tërhoqi numrin 44 për shkak të nazizmit

04/01/2024 19:06
nga:Lorik J

Federata gjermane e Futbollit (DFB) njoftoi dhjetë ditë më parë se nënshkroi një marrëveshje partneriteti me Nike për periudhën 2027-2034, që do të thotë se kombëtarja nuk do të pajiset me fanella nga prodhuesi gjerman Adidas pas 70 vitesh. Nike do të pajisë të gjitha ekipet kombëtare të DFB dhe do të promovojë futbollin gjerman në tërësi.

Një vendim i tillë zemëroi pothuajse të gjithë publikun, tifozët dhe politikanët e shquar pasi besojnë se Adidas është një pjesë e rëndësishme e identitetit të kombëtares, por ndërkohë u shfaq një problem i ri, shumë i madh me Adidas.

Përkatësisht, për shkak të fontit specifik, fanella me numrin 44 shkaktoi një skandal të vërtetë në Gjermani. Gjegjësisht, këta dy numra të kujtojnë në mënyrë të parezistueshme emërtimin SS (Schutzstaffel), i cili u mbajt nga divizionet kriminale gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një formacion paraushtarak që ishte nën drejtimin e Adolf Hitlerit dhe Partisë Naziste. Pasi i gjithë publiku gjerman u ngrit në këmbë, zëdhënësi i Adidas, Oliver Brüggen foli, duke thënë se numri i diskutueshëm 44 do të tërhiqej.

“Ne do ta tërheqim numrin 44 sa më shpejt të jetë e mundur. Njerëz nga rreth 100 vende punojnë në Adidas, kompania jonë është e përkushtuar të promovojë diversitetin dhe si kompani ne luftojmë në mënyrë aktive kundër ksenofobisë, antisemitizmit, dhunës dhe urrejtjes në të gjitha format. Çdo përpjekje për të promovuar opinione që janë ndarëse ose ekskluzive nuk janë pjesë e vlerave tona si markë dhe ne refuzojmë me vendosmëri çdo sugjerim se ky ishte qëllimi ynë. Kompania jonë është e përkushtuar të promovojë diversitetin dhe përfshirjen.”

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) gjithashtu foli dhe u distancua qartë nga çdo ide e krahut të djathtë.

/GazetaBlic Sport