Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu e ka nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme tenderin për tiketa ngjitëse të automjeteve që obligojnë qytetarët të paguajnë nga 5 euro për regjistrimin e automjeteve, një vendim ky që ka ngjallur reagime të shumta në vend, pasi po konsiderohet si monopol i panevojshëm dhe barrë shtesë për xhepin e varfër të qytetarëve.
Faktet që i ka siguruar Gazeta Infokus dëshmojnë shkeljen flagrante ligjore që është bërë në këtë proces me dijeninë e plotë të ministrit Liburn Aliu, kabinetin e tij dhe zëvendësministrit, Hysen Durmishi.
Saktësisht, me datën 25.05.2021, Zyra Ligjore e Ministrisë së Infrastrukturës, i është drejtuar nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtorit të operatorit ekonomik, “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, Sedat Troshupa, me ç’rast e ka njoftuar lidhur me procesin e tenderit për ofrimin e shërbimit “Tiketa Ngjitëse”.
Në këtë përgjigje, Zyra Ligjore e ka njoftuar operatorin ekonomik dhe njëkohësisht edhe ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin, Hysen Durmishi, kabinetin e ministrit dhe Departamentin e Automjeteve se ky proces ishte anuluar me vendim të Sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie me datë 04.10.2019. Vendimi mbanë numrin e protokollit nr. 01.11756.
Dokumenti sqaron edhe detaje tjera se Zyra ligjore i ishte përgjigjur në kërkesë drejtorit të kompanisë “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, pasi paraprakisht kishte pasur takime dhe kërkesa nga vetë ministri Aliu.
Në vendim thuhet qartë se janë anuluar të gjitha veprimet që rrjedhin për vlerësimin e ofertave të tiketës se rregullsisë teknike të mjeteve me veprim motorik, si dhe me vendimin e lartcekur e ka obliguar Departamentin e automjeteve për zbatimin e këtij vendimi dhe e gjithw kjo qështje ka përfunduar me vendim.
Në këtë rast, Ministria e Infrastrukturës për të kontraktuar një kompani për këtë shërbim, do duhej të fillonte procedurat e prokurimit nga fillimi, duke bërë shpallje publike dhe përzgjedhje të operatorit ekonomik sipas kritereve ashtu siç edhe kërkohet me procedurat e Ligjit të prokurimit publik.
Një gjë e tillë është e sanksionuar me ligj edhe për shkak të validitetit të dokumenteve në dosjen e tenderit. Pra për çdo procedurë tenderuese kërkohen dokumente që kanë validitet të caktuar. Rrjedhimisht, nuk mund të vazhdohet me një proces i cili është zhvilluar rreth tri vite me parë dhe i cili ka qenë i anuluar me vendim të plotfuqishëm.
Infokus, për dy ditë rresht ka kërkuar shpjegime nga Ministria e Infastrukturës në lidhje me këtë tender, por ende nuk ka marrë përgjigje.
MI, ndër tjera është pyetur pse nuk është respektuar vendimi i vitit 2019 dhe pse nuk janë ndjekur procedurat e reja për zgjedhjen e operatorit të ri ekonomik.
Ngarkimi i qytetarëve me taksë shtesë për regjistrimin e automjeteve ka ngjallë reagime të shumta nga politikanët dhe shoqëria civile.
Madje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj u ka apeluar qytetarëve që të dalin në protestë në kundërshtim të pagesës së tiketës ngjitëse në vlerë rreth 5 euro.
I pari që ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës ka qenë ish-bashkëpartiaku ni Liburn Aliut, Dardan Sejdiu. Ai ka ironizuar duke thënë se “Shkoj homologimi, erdhe tiketa Qeveria on fire”.
Një ditë më herët, Gazeta Infokus ka raportuar se si zëvendësministri, Hysen Durmishi, është përpjekur që ta arsyetoj këtë taksë duke thënë se kjo është edhe një ndihmesë drejt anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër.
Durmishi ka paralajmëruar se kjo tiketë qon në lirimin nga taksa prej 30 eurove që aktualisht e paguajnë pronarët e veturave në kompaninë e sigurimit për mbulueshmërinë e dëmeve të shkaktuara prej automjeteve të paregjistruara. Veçse një gjë e tillë, siç ka thënë ai, nuk mund të bëhet deri sa numri i automjeteve të pa regjistruara të zbresë në 5%.