Lajme

Skandal Financiar: Dorëzohet Kallëzimi Penal ndaj Gani Jakupit për shpërlarje parash, shmangie nga tatimi e mashtrim

10/03/2024 19:58
nga:G C

Majlinda Bregasi, nëpërmjet të autorizuarit të saj, ka paraqitur një kallezim penal ndaj Gani Jakupit, duke e akuzuar atë për disa vepra penale të rënda, duke përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe falsifikimin e dokumenteve, raporton GazetaBlic.

Sipas dokumentit të dorëzuar në prokurori, e që GazetaBlic ka arritur ta sigurojë, Bregasi, e cilësuar si “e dëmtuara”, pretendon se Jakupi, si bashkëthemelues i OJQ-së Instituti Për ART-ProARTE Institute (PART), ka shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme autorizimet e tij, duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke i shkaktuar dëme të mëdha OJQ-së dhe buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në kallezim përfshihen akuza të rënda, përfshirë:

  • Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
  • Shpërlarja e parave
  • Shmangia nga tatimi
  • Mashtrimi
  • Konflikti i interesit
  • Falsifikimi i dokumentit zyrtar
  • Veprat e tjera penale që mund të zbulohen gjatë hetimit

Sipas Bregasit, Jakupi ka falsifikuar dokumentet e OJQ-së dhe i ka dorëzuar ato në institucione publike për të përfituar projekte, duke e bërë atë subjekt të hetimeve të mëtejshme.

Tutje, ajo çka mori vëmendjen është se ,në muajin prill të vitit 2024, Bregasi është informuar nga zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) se Instituti ka aplikuar për një projekt kulturor dhe ka nënshkruar një kontratë me vlerë dhjetëra mijëra euro.

E dëmtuara nuk kishte qenë në dijeni për këtë projekt dhe, duke vepruar menjëherë, ajo ka parashtruar kërkesë në MKRS për të marrë një kopje të projektit të dorëzuar në emër të Institutit.

Brenda afatit ligjor, MKRS-ja ka kthyer një përgjigje pozitive, duke i dhënë Bregasit një kopje të projektit të miratuar. Sipas informacioneve të deritanishme, Instituti duket se ka pranuar të gjitha fondet e projektit nga MKRS-ja, duke e bërë situatën edhe më të komplikuar.

Kallezimi penal i siguruar nga GazetaBlic, përmban informacione të detajuara për veprimet e pretenduara dhe dëmet e shkaktuara.

 

 

Në lidhje me këtë kallëzim penal, GazetaBlic ka kontaktuar edhe me avokatin e Bregasit, Besim Osmani i cili e konfirmoi këtë çështje.

“Po, Majlinda Bregasi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Gani Jakupit”, tha Osmani për GazetaBlic.