Kuvendi i Kosovës ka refuzuar një propozim për të ndryshuar ligjin për automjetet, që do të lejonte importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet.
Propozimi, i paraqitur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, synonte sipas tij, të ndihmonte familjet me gjendje më të dobët ekonomike që të kishin qasje më të lehtë në blerjen e automjeteve.
Sipas Lushtakut, shumë familje nuk kanë mundësi të blejnë vetura të reja dhe ndryshimi do të ofronte alternativa më të përballueshme.
“Meqenëse ky projektligj është hera e dytë që e prezantoj, jo vetëm në këtë legjislaturë, ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve që të ketë një ndryshim të ligjit për automjete, kryesisht prej familjeve me standard më të ulët, duke ditur që e kanë të vështirë të blejnë një veturë me një standard ekonomik të familjeve të ulëta dhe të mesme. Duke parë që ligji për automjete ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, unë kam propozu që ky kufizim të largohet”, ka thënë Lushtaku.
Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, i ftoi deputetët të refuzojnë këtë propozim, duke e quajtur atë si “joprofesional”.
Ajo theksoi se Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshime më gjithëpërfshirëse dhe profesionale të këtij ligji dhe se kuvendarët duhet të presin këto rregullime.
Në përfundim, thirrja e Pacollit për refuzimin e ndryshimit të ligjit pati ndikim, duke siguruar 52 vota kundër dhe vetëm nëntë vota për, që rezultoi në rrëzimin e propozimit të deputetit Lushtaku.