Tashmë është bërë zyrtare raportimi i mbrëmshëm i Gazeta Blic, se Bedri Hamza do të zyrtarizojë kandidaturën për kryetar të Mitrovicës së Jugut.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
I shoqëruar nga Hamza, Krasniqi ka thurur lavde për kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut.
Në fund të shkrimit, Krasniqi thotë se të gjitha pajtohen se s’ka si Bedri Hamza.
Shkrimi i plotë:
Nga një qytet me rëndësi të veçantë siç është Mitrovica, dhe nga një vend i kujtimeve të mira siç është Ëmbëltorja Ballkan, jam shumë i lumtur ta shpërndaj një lajm po ashtu të veçantë, të mirë e të rëndësishëm që do t’i flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës.
Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit.
Një profesionist të lartë, një punëtor të madh, një njeri të urtë e të ndershëm si Bedri Hamzën do të donte ta kishte të vetin secila komunë. Por, këtë fat e ka Mitrovica.
Një fat i mirë dhe i rrallë ky që me padurim do të përqafohet nga të gjithë qytetarët – për t’i dhënë fund talljes së gjatë me qytetin e tyre, e për t’i dhënë seriozisht shans jetës që ata e meritojnë.
Sepse, të gjithë pajtohen: S’ka si Bedri Hamza!


