Anëtari i Kuvendit tek Oda e Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku ka rënditur disa nga arsyet kryesore që sipas tij kanë ndikuar në ikjen e infermierëve nga Kosova.
Duraku në një prononcim për GazetaBlic thotë se, koeficienti i pagave ka ndikuar që Kosova të mbetë pa infermierë, teksa nuk përjashton faktin që kërcënimet, presionet dhe trajtimi jo i barabartë janë arsye shtesë për një fenomenë të tillë.

“Është e vërtetë që ikja e infermierëve nga Kosova po vazhdon edhe më shumë, kryesisht për shkak të mungesës së njohjes, respektit dhe rolit të infermierit, ambientit toksik të punës, shantazheve, kërrcënimeve dhe presionit, ndërsa padyshim që një nga faktorët kryesor është edhe trajtimi jo i barabartë brenda ligjit të pagave, respektivisht koeficientit të pagave, kategorizimin e infermierëve me koeficient të pagës bazuar në nivelin e sistemit shëndetësor se ku punojnë, në vend që ky kategorizim të bëhej bazuar në gradën akademike sikurse komunitetet tjera”, tha Duraku.
Duraku shtoi se ka deponuar një ankesë tek Avokati i Popullit, por nuk beson se do të merren hapa sindikalë, teksa nuk përjashton vetëorganizim për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për pakënaqësit.
“Unë kam deponuar një ankesë lidhur me këtë tek Avokati i Popullit, institucion i cili veqëse e ka konfirmuar shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore.Se a do nërmirren hapa sindikale, nuk besoj se do ndodhë kjo, mirëpo vetëorganizimin na e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës për të shprehur paknaqësitë, ndërsa padyshim se do presim IAP se a do e procedoj në Kushtetuese”, tha Duraku.
Edhe Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri thotë se ka pakënaqësi të mëdha tek infermierët në lidhje me koeficientin e ri të Ligjit të Pagave.
Imeri në një prononcim për GazetaBlic shton se pas një takimi të mbajtur javën e kaluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë filluar të merren hapa të menjëhershëm duke njohur diplomat e Bachelorit.

“Ka pakënaqësi të mëdha sidomos tek një pjesë e infermierëve dhe tek stafi administrativ. Janë bërë komisioniet me sygjerim të Ministrisë, ku kemi pas takim të premten me ministrin e Shëndetësisë dhe menjëherë kanë bërë një hap, duke njohur diplomat e Bachelor, ku kjo ka qenë edhe ankesa themelore. Sot menjëherë iu kërkuan këto diploma”, tha Imeri.
“Pakënaqsi sigurisht që ka sepse pritjet kanë qenë më të mëdha. Në përgjithësi ne jemi duke biseduar vazhdimisht, jemi në prag të krijimit të grupeve për dialog social dhe të shohim çfarë mund të bëjmë, sepse është ligji për shëndetësinë në procedim ku edhe janë disa pozita të reja që duhet të futur në këtë ligj”, shtoi Imeri.
Përveç infermierëve, Imeri thotë se pakënaqësi ka edhe tek mjekët specialist.
“Pakënaqësi ka edhe tek mjekët specialist, ku iu është ofruar deri në 25% të bëjnë deklaratën nën betim për të qëndruar në institucionin publik, pjesa tjerër që nuk e ka nënshkruar atë kanë pakënaqsi ku edhe kanë plotë të drejtë sepse normën e kanë të barabartë me ata që shkojnë në sistemin privat dhe ata në institucionin publik. Këtë çështje e kam biseduar edhe me ministrin, duhet të gjenden forma të tjera për stimulimin e mjekëve që të qëndrojnë në institucion publik”, tha Imeri.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një prononcim për GazetaBlic, thotë se mësimdhënësit e shkollave të mesme janë tejet të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 eurosh.

“Nuk mund të marrim hapa tutje sepse Ligji është bërë si i tillë, por ka pakënaqsi.Pakënaqsi ka tek mësimdhënësit e shkollës së mesme, por gjendja shumë e keqe është edhe tek administrata e Universiteteve ku edhe me koeficient qëndrojnë keq, prandaj kjo ka bërë që me vlerën 105, ata të kenë paga tejet të vogla”, tha Jashari.
“Tek arsimi fillorë dhe tek çerdhet ka ngritje të dukshme. Tek punëtorët tekniko-ndihmës kemi ngritje pak më të mëdha, që na ka gëzuar shumë sepse kanë qenë teper keq me pagat. Dmth, kemi një laramani të gëzimit dhe hidhërimit bashkë”, shtoi Jashari.
Jashari shtoi se SBASHK-u nuk do të organizojë greva për pakënaqësitë që kanë sepse sipas tij, ka shpresë që kjo vlerë e koeficientin të ndryshohet.
“Në terësi askush në sektorin publik nuk është i kënaqur me Ligjin e Pagave, këtu vërehen edhe ankesat që janë bërë tek Avokati i Popullit.As SBASHK-u dhe as sindikatat e tjera nuk e kanë mundësinë që të mbajnë greva, por uroj që Ligji të mos kthehet në zero sepse pastaj do të duhen edhe 2-3 vjet për ta bërë Ligjin dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Jashari.
“SBASHK-u ka menduar që më mirë të ketë një ligj që nuk është më i miri, por është kogja i keq me shpresën se do të bëhemi bashkë me Sindikatata dhe deputetët për të ndryshuar vlerën e koeficientin që është me të vërtetë e vogël”, tha Jashari për GazetaBlic.
/GazetaBlic/


