Kandidati i LDK-së për deputet, Gëzim Plakolli me numrin 43, ka theksuar se, nëse partia e tij vjen në pushtet, do të rikthehet dinjiteti qytetarëve të Kosovës.
Ai për GazetaBlic tha se Abdixhiku do të ketë si prioritet rikuperimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bërë dialogun më transparent dhe duke punuar për rritjen e besimit në Qeverinë e Kosovës.
Ai shtoi se, kur të arrihet ky qëllim, do të punohet për hartimin e dokumenteve që janë obligime ndërkombëtare të Kosovës.
“Me LDK-në në pushtët, do t’ia kthejmë dinjitetin qytetarëve. Abdixhiku do ta ketë prioritet edhe rikuperimin e marrdhënieve me ShBA-të, me dialogun të cilin do ta bëjmë hapur, do ta kthejmë mirë besimin në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kur ndodhë kjo do të ulemi dhe bashkarisht do t’i hartojmë dokumentet të cilat janë obligime ndërkombëtare të Kosovës”, tha Plakolli.
Plakolli ka kujtuar se LDK-ja ka bërë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare gjatë periudhave kur ka qenë në qeverisje, si në zyrat e Shtëpisë së Bardhë.
Ai ka shprehur kundërshtimin e LDK-së ndaj draft statutit të Asociacionit, i cili, sipas tij, do të sjellë autonomi territoriale për pakicën serbe. Plakolli ka përfunduar duke theksuar se çdo herë kur LDK-ja ka qenë në qeverisje, Kosova ka dalë fituese.
“LDK-ja në qeverisje, ka bërë marrëveshje në zyre të Shtëpisë së Bardhë, me VV’në në qeveri, marrëveshjet janë bërë në vilat e Titos në Ohër. Kjo na tregon se si e shohim të ardhmen e Kosovës.Ne jemi kundër draft statutit të Asociacionit, sepse sjell autonomi territoriale për pakicën serbe në Kosovë. Ne do t’i bindim partnerët tanë që një draft i tillë është i papranueshëm”, tha Plakolli.
“Sa herë ka qenë LDK-ja në qeverisje, Kosova ka dalë fituese. Kemi dal fitues ni vitin 1999, 2004, 2008”, përfundoi ai për GazetaBlic.