Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte luan ndaj Qipros në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45, në kuadër të ndeshjes së xhiros së katërt të Ligës së Kombeve.
Sot, një gazetar i sportit nga mediumi ynë duhet të ishte në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”, apo më saktësisht në vendin e posaçëm për media, por kjo nuk do të ndodhë… as kësaj radhe!
Procesi i akreditimit është kryer, megjithatë përgjigja nga FFK mungon, nuk ishte as pozitive e as negative, por ishte injorim total ndaj mediumit tonë dhe jo vetëm. Arsyet? Nuk dihen.
GazetaBlic Sport përveç kërkesës për akreditim në webfaqen e FFK-së, poashtu ka kontaktuar edhe me zyrtaren përgjegjëse, Maki Bajrami, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk ka kthyer fare përgjigje.
Kujtojmë se nuk ka shumë kohë më parë, kur Agim Ademi, kryetari i FFK’së në në intervistë për RTK tha se krejt gazetarët që aplikojnë, pajisen me akreditim.
“Akreditim krejt kush ka konkuru m’u akreditu, është akreditu”, tha ndër të tjerash Ademi në intervistën e tij para 8 ditësh në televizionin publik.
Megjithatë, me akreditim, apo pa akreditim, ne do ta përkrahim Kosovën A, shpresat tona, ekipet e çdokë tjetër, por asnjëherë nuk do heshtim për të drejtën minimale tonën.
Mos të harrojmë se GazetaBlic Sport tash e disa vite është një nga mediumet sportive më të besuseshme e lexueshme në vendin tonë.


