Lajme

‘’Sjellje joadekuate’’/ Ish-koloneli me kritika për zhvillimet në natën e sulmit në Ibër –Lepenc

12/04/2024 22:19
nga:Sh R

Ish-koloneli, Hysen Gecaj ka pasur kritika në lidhje me mënyrën e reagimit pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ai ka thënë se në vend të krimit nuk ka nevojë që të jetë prezent askush tjetër përveç organeve të vendit- sipas tij as ministra e askush tjetër.

“Të them të drejtën edhe unë kam vërejtjet e mia me aq sa kam parë tek mënyra e reagimit. U përmend edhe sjellja në vendin e krimit e cila nuk ishte adekuate, po ashtu edhe vet-komanda për të cilën ne nuk e kemi marrë vesh fare që ka diku një vend-komandë e që në dokumentet e miratuara vite më parë ekzistojnë të gjitha këto. Ajo nuk është sekrete, sepse shkon në vendin e ngjarjes dhe ajo është një vend ku mund të vrojtohet edhe nga distanca, por është e rëndësishme që të bëhet perimetri i sigurisë”.

Tutje, ai tha se të gjitha këto mangësi tregojnë për brishtësinë e organizimit të punës, pavarësisht se ai tha se Policia ka kryer punën në mënyrë profesionale.

“Kjo është ajo çfarë duhet të bëhet. Por, të gjitha këto mangësi në një farë mënyre tregojnë për brishtësinë e organizimit të punës pa marrë parasysh se në kuptimin profesional policia e ka kryer punën e vet mirë sepse ata i kanë mësuar procedurat se si reagohen, por kur ka interferenca në mes politikës dhe pjesës operacionale atje. Interferencat janë se nëse ka një skenë të krimit nuk ka çfarë kërkon aty asnjë ministër”, ka deklaruar ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.